Në Kumanovë nuk mungojnë raste ku qytetarët tregohen të pandërgjegjshëm lidhur me masat e qeverisë dhe si pasojë e kësaj Prokuroria Themelore Publike ka proceduar aktpadi kundër pesë personave
Hekuran JASHARI
Kumanovë, 2 prill – Komuna e Kumanovës të mërkurën sërish organizoi një mbledhje të Shtabit për mbrojtje dhe shpëtim, me qëllim të ndërmarrjes së aktiviteteve dhe masave kundër përhapjes së virusit korona. Nga ky shtab edhe njëherë është kërkuar që të shpallet gjendje krize në Kumanovë, si dhe të vihen punkte kontrolli në të gjitha hyrjet dhe daljet e qytetit, si pasojë e shtimit të numrit të infektuarve, ku gjatë ditës së sotme janë regjistruar edhe shtatë raste të reja, shkruan gazeta KOHA.
Në Kumanovë nuk mungojnë raste ku qytetarët tregohen të pandërgjegjshëm lidhur me masat e qeverisë dhe si pasojë e kësaj Prokuroria Themelore Publike ka proceduar aktpadi kundër pesë personave për veprën “Mosrespektimi i rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”, neni 206 paragrafi 1 të Kodit Penal. Rasti i parë është regjistruar tek një qytetar i ardhur nga Kroacia më 19 mars, një vend me rrezik mesatar të përhapjes së COVID-19. Pas arritjes në vend ai ka nënshkruar një deklaratë se do të respektojë masën për izolim 14 ditësh, mirëpo gjatë kontrollit policor policia ka vërejtur se i njëjti nuk gjendet në shtëpi.
Tre persona të tjerë janë akuzuar për të njëjtën vepër “mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë epidemisë” pasi nuk kanë respektuar masën për ndalim të lëvizjes në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut . Të njëjtit përpos mosrespektimit të masës kanë shkuar edhe në shtëpinë e një personi tjetër me të cilin kanë pasur mosmarrëveshje paraprake. Të pandehurit kishin filluar një grindje gojore, e cila më vonë ka përfunduar edhe me përplasje fizike. Për veprën penale në fjalë Prokuroria Themelore në Kumanovë ka kërkuar që secili prej të pandehurve të dënohet me gjobë ditore prej 20 euro në kohëzgjatje prej 100 ditësh, në kundërvlerë denarë. Kallëzim penale është ngritur edhe ndaj një personi nga Kumanova, i cili gjatë orës policore po shëtiste në këmbë nëpër qytet. (koha.mk)