Ndalesën për lëvizje në Kumanovë, që me vendim të Qeverisë është aktivizuar të premten më 3 prill në orën 21 deri sot në mëngjes në orën 7 nuk e kanë respektuar 12 persona, të cilët janë privuar nga liria, ndërsa për dy persona janë marrë të dhëna, publikoi ministri i Punëve të Brendshme Naqe Çulev në faqen e tij të Fejsbukut.
Sipas të dhënave të publikuara në territorin e të gjithë vendit, gjatë 24 orëve të fundit ndalesën nuk e kanë respektuar 164 persona, 122 persona janë arrestuar, dy persona morën paralajmërim, dhe pjesës tjetër i janë marrë të dhëna dhe do të pasojnë masa adekuate. Shumica e mosrespektimit është në territorin e SPB Shkup, pastaj SPB Strumicë dhe SPB Kumanovë.
Gjatë 24 orëve të fundit statistikat e publikuara tregojnë se 264 persona të rinj kanë marrë vendime për izolim, kurse 24 persona kanë nënshkruar deklarata për vetëizolim. Nëpunësit policorë kanë kryer kontroll të njerëzve në izolim dhe vetëizolim me ç’rast kanë konstatuar se një person nuk i ka respektuar masat e izolimit dhe të vetëizolimit.
Gjithashtu në 24 orët e fundit në karantinë shtetërore janë vendosur 57 persona.