Tekiu jetoi dhe iku nga Bregu i Pikëllimit, madje trishtueshëm duke e konfirmuar këtë para bashkëpunëtores së tij më të ngushtë, Kimete Berishës: “Jusufi… shkoi Ibrahimi, shkuan të gjithë, unë mbeta këtu të shkrryhem i pikëlluar… Të ishte gjallë Jusufi do ta mohonin njësoj kështu si mua… s’do të kishte bukë goje…”
Nga Bardh FRANGU
U bënë shtatë vjet nga ikja e shkrimtarit më të veçantë të letrave shqipe, Teki Dervishit. Për këto vite na bëhet sikur e kemi harruar plotësisht, por nuk është krejt kështu. Kjo për faktin se edhe po të duam nuk mundemi. Mbase në kontekst të kësaj mund t’i referohemi një dialogu ndërmjet Eskilit dhe Europidit nga komedia “Bretkosat” e Aristofanit. Ndërsa gjenden në Had, dy dramaturgët e mëdhenj grinden se cili është më i mirë. Eskili në një rast i thotë Europidit (po e parafrazoj): “Nuk jemi të barabartë. Ti je në përparësi, sepse veprat i ke marrë me veti!” E Tekiu, njësoj si Eskili, nuk i mori veprat me veti, por na i la neve të gjallëve si një trashëgimi shumë të rëndësishme jo vetëm letrare, por edhe kulturore në përgjithësi. Dëshmia më e mirë për këtë është drama e tij “Eshtrat që kthehen vonë”, e cila vazhdon t’i sjellë sukseset më të mëdha Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Megjithatë janë shumë arsye që ne sot nuk shfaqim as një vullnet të mirë publik për veprën e tij, përkatësisht për sistemimin e saj dhe botimin e tërësishëm. E para nga arsyet e shumta është fryma mediokre që ka zaptuar këtë vend dhe që me të gjitha mjetet provon të shkatërrojë vlerat e krijuara dhe t’i pengojë ato në krijim. Si refleksion i saj është edhe pamundësia për të botuar së paku pjesën letrare të Tekiut, gjë të cilën më duhet ta shpjegoj për publikun. Si anëtar i Këshillit të Librit, bashkë me disa anëtarë të tjerë u angazhuam që ta sillnim për lexuesit veprën e plotë të Tekiut. Ministria e Kulturës, përkatësisht ministri Kujtim Shala iu gëzua kësaj ndërmarrje dhe ndau mjetet për botimin e veprës së Tekiut, madje shpalli edhe konkursin, nëpërmjet të cilit do të zgjidhej shtëpia botuese. Për habi, asnjëra nga shtëpitë botuese nuk arriti të sigurojë të drejtën autoriale për botimin e plotë të veprës së Tekiut. Madje, për më keq, doli të kishte disa persona që e kishin këtë të drejtë!
Po ndoshta ky edhe është fati i disidentit të keqkuptuar dhe të ndaluar nga turma. Në fakt Tekiu në gjithë jetën e vet ndoqi amanetin e Dush Kusarit që kurrë të mos i takonte shumicës. Po siç ka vërejtur kritiku dhe miku i tij Ramadan Musliu, të jesh disident në një mjedis primitiv është mallkim jo vetëm jetësor, por edhe historik, ndaj për këtë ai do të jetë gjithmonë i pakuptueshëm dhe njëkohësisht i kërkueshëm në të gjitha kohët. Të qenit larg turmave, të mbyllurit në vete, në mjegullën e dëshpërimit, ishte edhe mënyra e jetës së tij, e këtij disidenti dhe postmodernisti, i cili edhe ikjen nga kjo botë e bëri në stilin e tij, përkatësisht duke kërkuar që në varrim t’i shkonin vetëm anëtarët e familjes dhe askush tjetër.
Tekiu jetoi dhe iku nga Bregu i Pikëllimit, madje trishtueshëm duke e konfirmuar këtë para bashkëpunëtores së tij më të ngushtë, Kimete Berishës: “Jusufi… shkoi Ibrahimi, shkuan të gjithë, unë mbeta këtu të shkrryhem i pikëlluar… Të ishte gjallë Jusufi do ta mohonin njësoj kështu si mua… s’do të kishte bukë goje…”
Në këtë ditë përkujtimi për të, këtë shkrim më bëhet se është më së miri ta mbyll me konstatimin e kritikut Ramadan Musliu: “Po të shohësh se cili është vendi i tij në letrat shqipe, ai mbetet i veçuar, jashtë hierarkisë, i vetmuar si vlerë”, ndërsa miku i tij, Veli Karahoda do të shprehet: “E Maestro do të kthehet. Si Zaratustra nga Mali i Lartë. Sepse vepra është realiteti absolut i krijuesit”.
Teki DËRVISHI
UDHËTARI I FJETUN N’ZABEL
1.
Tue i zbrazë gotat plot me natë e vetmi
Kam pa se si vdekja e dehja janë krijue
N’ato çaste asgja – pos nji varg me këndue
S’kam dashtë tjetër dhe – me vdekë i ri!
I kisha ndërmend të gjithë që andrrojnë
Ashtu t’përlotun e nëpër botë të tretun
Ngrohtësinë e bashkimit ata e kërkojnë
-Nata… dhe vorret e shokëve të vdekun!
I dehun kam humbë këmishë, orë e këpucë
Në qytetin e panjoftun si udhëtar i pacak
Edhe fëmijët e qentë e rrugës m’kanë ngucë!
Skaj zabeli, n’rrugë, i qetë flej e andrroj
Në qiell yjet xixillojnë. Mandej do pika shiu
M’ranë në sytë e mi e ngrohtë nisa t’vajtoj!
2.
Tue këndue si dru i mpimë këndoja n’pikllim
Atë natë në rrugë, kur në gotë deshta me e gjetë
Barin që shëron e fal harrim, o nji gjumë të qetë
Por, pash’ se shpëtim s’kam deri n’vorr e mbarim.
Kam zbrazë gotë mbas gote e ato lehtë janë sosë
Si marrëzia shkatrrimi dhe kotësia ime e marrë
Pastaj jam shkrrye rrugëve t’përlloçuna si zagar
Që kështu vetëm disa çaste të idhëta janë vorrosë.
Kjo natë më ban kënaqësi tue e pa veten të ndytë
Të ndamë nga ata që prania ime i skuq e turpnon
E që shpirt e ndërgjegje i kanë të zhytun në baltë.
Sepse me dijtë me u pjekë në jetë si piqet fryti
Që bie në tokë, atëherë kur ma nuk ka çka me pritë,
-Asht njisoj si me e shijue jetën për së dyti.
3.
I ruej ca fjalë që më shërojnë si bari
Dhe ika nëpër terr që veç vetë të vuej,
Si poetin që e vyshk veç dhimba e huej
Shkova atje ku më pret nderi dhe litari.
Kështu i duhet kokës sime pak të marrë
Që s’asht bindë se muri nuk thyhet me kokë
Që tash i zi i lanun i mjerë e pa shokë
Derisa vehten nji ditë me vargje kam me e varë.
Dhe këndova gjatë, derisa humba në terrin
E rrugës që prap ka me më dërgue n’pikllim
E thashë: i lumi, edhe në jetë e kam pa ferrin.
Flaka e fikun përherë zjarre të reja më ka falë
Flaka nuk fiket tash kur dëshiroj me e shue
Mendoj se asht fikë – por hini i fikun më kallë.
4.
Edhe kështu i ri e i thyem andrroj me vdekë
Derisa breznitë të pështyjnë në veprat e mia
N’bredhje të kota, n’kangë t’marra, shkoi djalëria
E, tjetri, si unë, gjurmave a do të më ndjekë?
S’mundem ma me këndue e as me heshtë nuk dij
E helmi i kangëve të mia veç mue po më helmon
Si gjeth n’vjeshtën e shëmtueme po më shndërron
E t’lodhun deri te kanga po më shtyn të vij.
E unë nga ajo që deshta nga muza me krijue
E humba nëpër stinë që shkuen kurrgja pa më lanë
Pos helmit që rritet në kët kangë që po më vranë.
Për veti po flas, për lot, bredhje e kujtime
E i humbun nuk jam veç unë që dij idhët me këndue
Por edhe të meridianeve që mëshihen në kangën time…
5.
Ma vonë, ai nuk e din, do t’i lindë në jetë,
Me i falë si mëshirë pak dashuni të ngrohtë
– Vargu që do t’i klithë aq shurdhët e ftohtë
E për ta madhnue, mbas vdekjes ka me i mbetë.
Ma vonë i çmendun si Van Gogu do ta prenë
Dhimbën e vet që nuk i pushon veç me gjak
I humbun, pa shpresë në jetë, ai ka etje pak
Mbas vdekjes ç’do t’i duhet ashti që i vjen?
Kështu ka me vdekë të nesërmen ka me u harrue
Për ne s’ka me qenë dhimbë që lotë na falë
Se koha shkel lule e lule e s’din me u ndalë.
Asnjiherë nuk ka ardhë ajo që ka dijtë me shkue
E atij me dhunë ja vodhën krejt qëllimet në jetë
E, e lanë si qiriun vetëvehten tue djegë e tretë.
6.
Tash i mbylli edhe sytë në qepalla brenga e randon
Edhe uji asht i pastër kur ai po pushon nën urë
Rrjedh i qetë që të mos e zgjojë tue u përplasë për mur
Kangën e tij vala ja thotë valës deri sa ai pushon.
Sa bukur, mandej vjen nji ditë e mbushun plot diell
Qyteti ringjallet, por ai s’do të zgjohet kurr ma
S’ka me e pa natën e zezë as hanën n’liqen tue u la
S’ka ma për t’i këndue as kangët që veç vnerë kanë vjellë.
Kështu, lumi e pat përcjellë atë trup të mbetun
Që nuk pat kush me e dërgue as deri n’rrugën e mbrame
Që qentë e rrugës mos ta rrëmbejnë si prenë e gjetun.
Lumi e pat përcjellë deri në zabelin ma të vetmuem
Deri sa kanga e valës së tij u qetësue në atë lëndinë
Dikur e qiti në bregun e tij dhe gjethet e vjeshtës e mbuluen.
(Poezi nga libri “Nimfa”, botuar te Rilindja më 1970 në Prishtinë dy – tre vjet pasi autori ishte kthyer nga burgu famëkeq i Goli Otokut)