Nuk mund të mos binte në sy kur një ditar televiziv fillon me katër storie për një subjekt dhe me asnjë për partnerët e koalicionit… s’mund të kuptohej ndryshe, pos ashtu si u kuptua, kur e gjithë kjo ndodhi në ditën e fundit të fushatës zgjedhore
Nga Daut DAUTI
Në ditën e fundit të fushatës parazgjedhore, u vërejt një rast “ilustrativ” për shkollë gazetarie çka do të thotë informim i balancuar: Në një televizion me koncesion kombëtar, katër lajmet (storiet e para) i ishin kushtuar dështimeve të një subjekti politik… Dikujt që ka studiuar gazetarinë, që i ka të njohura parimet, qoftë nga teoria, qoftë nga përvoja, e ka si një “deformim profesional” që t’i vërejë sa herë që diçka del ngi binarët e normalitetit. Por kjo nuk më ra në sy mua, po djalit, i cili nuk ka studiuar gazetari, por që pati shprehur habinë e tij. Më tha, shih këtë, a të duket në rregull katër storie për dështimet e BDI-së, e asnjë për partnerët e koalicionit, me të cilët ka bashkëqeverisur, e që logjikisht i bie që “merita” për dështime të kenë edhe ata. Kush i ka të njohura kriteret profesionale, e di që të vendosësh në krye të ditarit ndonjë storie, duhet të ketë diçka ekskluzive, qoftë për nga pesha e ngjarjes, qoftë për nga efekti i saj në ditën që ka ndodhur, qoftë për nga efekti për shoqërinë e gjerë, qoftë për ndonjë element tragjizmi apo rreziku të përgjithshëm…ose të ndikimit të jashtëzakonshëm për jetët e njerëzve…Po çka kishin ato storie kaq ekskluzive për ta arsyetuar top-pozitën në ditarin televiziv të televizionit nacional? Asgjë nga këto: tri ishin premtime ishin bërë në nivel të pushtetit lokal, dhe një problem i cili është një ide e kahershme e punëtorëve të arsimit…
Por, ca sqarime që të mos ketë keqkuptime. Nuk është fjala këtu të akuzohet ndonjë media pse ka qenë kritike ndaj një partie që është në pushtet,por për mënyrën se si mbulohet fushata parazgjedhore, ku raportimi i balancuar gjithsesi është një imperativ ligjor. Por dhe këtu mund të ketë keqkuptime, ndaj është e udhës të sqarohet prapë. Media(t) elektronike dhe të shtypura, pavarësisht orientimit të tyre (politikës redaktuese) janë të obliguara që të mbulojnë në mënyrë të barabartë fushatën zgjedhore të çdo subjekti, sipas disa kritereve që vlejnë pakashumë në gjithë botën. Domethënë, kriteri kryesor është ai i relevancës së një subjekti (bie fjala, nuk mund të mbulohet me të njëjtën hapësirë në gazetë ose minutazhë në radio ose TV fushata e partive të mëdha parlamentare dhe e partive të vogla pa peshë elektorale (pa përfaqësim në parlament). Pra, nuk ka prezantim të barabartë, por mbulim të fushatës në “përpjesëtim” me relevancën e tyre. Se si do ta mbulojnë fushatën, shumë media i përcaktojnë që në fillim kriteret e tyre, që janë kombinim i detyrimit ligjor dhe kritereve profesionale. Në këto të dytat nuk është vetëm informimi nga aktivitetet zgjedhore, por dhe qasja analitike. Pos prezantimit të fushatës, e cila zakonisht është neutrale, pa komente, vjen pra pjesa tjetër, prej së cilës nuk janë të privuara mediat, e drejta e tyre për të analizuar (komentuar) fushatën e partive.
Edhe këtu nuk mund të pritet barazi në qasje, sepse çdo medium ka të drejtë të ketë orientimin e vet programor (që mund të përputhet me ato të ndonjë subjekti garues në zgjedhje), por pabarazia vjen edhe ngase mediat sa merren me vetë fushatën (platforma politike, mesazhet që japin subjektet…), edhe më tepër merren me të arriturat ose dështimet në të kaluarën. Domethënë, në tehun e kritikës nuk mund të jenë njësoj partitë që kanë qenë në pushtet dhe ato në opozitë, të cilat kanë pak gjë për t’u kërkuar llogari. (Kriticizmin vend e pa vend vetëm ndaj subjekteve të caktuara veç më mund të llogaritet si një informim agjit-prop… që është tipik për mediat që pronarët e tyre janë të afërt me subjekte të caktuara politike, çfarë shembull tipik ka qenë një televizion në gjuhën maqedonase në kohën e Nikolla Gruevskit).
Mbulimin e fushatës sipas relevancës së subjekteve dhe diskursin analitik sipas pozitës së tyre, një medium profesional nuk e ka vështirë t’i balancojë që të mos akuzohet se informon në mënyrë të pabalancuar.
Po t’i kthehemi rastit konkret, çfarë ekskluziviteti kishin katër storiet e televizionit shqip me koncesion nacional dhe shikueshmëri të lartë që në ditën e fundit të fushatës (pas pesë orësh fillonte heshtja) shikuesve t’u ofrojë si storie ekskluzive një problem i kahershëm siç është abetarja e përbashkët, lapidari në Sllupçan, revitalizimi i Treskës dhe garazhi në kate në një komunë? Siç mund të vërehet, këto storie kanë mundur të jepen në çdo ditë të javës, muajit apo vitit? Po, ja, të pranojmë faktin se edhe në kuadër të fushatës duhet të merren me dështimet e partive, por nëse ato i lidhim me zgjedhjet parlamentare, a nuk është më e logjikshme që dështimet të lidhen me ato që kanë të bëjnë me qeverisjen qendrore, e jo lokale? A s’do të ishte më e logjikshme që këto storie për dështimet të pushtetit lokal të bëheshin në zgjedhjet e ardhshme lokale, ose siç u cek më sipër, të ishin si pjesë e informimit në periudha normale që s’do të kishin lidhje me zgjedhjet parlamentare?
Në ditën e përmendur, ose edhe një ditë më parë, ku poashtu iu numëruan të njëjtit subjekt katër mospërmbushje premtimesh tjera, të viheshin në kontekst të pushtetit të përbashkët të këtij subjekti me subjektet tjera që përbëjnë koalicionin. Bie fjala, shumë nga këto projekte kanë të bëjnë me moslejimin e mjeteve financiare nga pushteti qendror, për të cilat, vendimi merret në qeveri, apo jo dhe në qeveri peshën më të madhe të përgjegjësisë e ka subjekti më i madh, apo jo? Aq më tepër që ai subjekt kishte premtuar “jetë për të gjithë”… Nëse merret kriteri i dështimeve në pushtetit lokal para zgjedhjeve parlamentare, i njëjti televizion duhej të kishte storie, disa fish më shumë për komunat si Ohër, Veles, Prilep, Manastir, Shtip, Strumicë, Gjevgjeli, Negotinë, Dellçevë, Butel, Qendër, Aerodrom, KisellaVodë, Sopishtë, Studeniçan, Zhelinë, ÇuçerSandevë… Vallë, pushteti lokal i tyre ka realizuar të gjitha premtimet? A mos lulëzojnë ato në çdo pikëpamje, mos rrjedh qumësht e mjaltë siç kanë premtuar? Duke pasur parasysh se të njëjtat lajme jepen edhe maqedonisht, pra, i dedikohei edhe publikut maqedonofolës, ky televizion me koncesion nacional, do të duhej të hulumtonte dhe t’i ofronte edhe storie për (mos) realizimit të pushtetit lokal ku kryetarë të komunave janë edhe nga partitë tjera…Me kriterin e njëjtë, atë ditën e fundit të fushatës, të na jepte të paktën nga një storie për çdo komunë! Ky do të ishte balancim, askush të mos kursehej nga mosrealizimi i premtimeve.
Kështu si është vepruar, edhe shikuesit më të pasherr do të kishin vërejtur shumë lehtë, që këto storie në krye të lajmeve ishin “grumbulluar” të njëjtën ditë që të dëmtonin imazhin elektoral të një partie dy ditë para zgjedhjeve dhe njëkohësisht, të kursenin subjektet rivale, për të mos thënë, partnerin e saj të koalicionit, me të cilin kishin ndarë të mirat e të këqijat e qeverisjes së përbashkët!
P.S. Këtë temë, për shkak të pushimit të kolumnave gjatë pandemisë e kisha lënë pa trajtuar, por vendimet e fundit të Agjencisë së Mediumeve dhe Shërbimeve Mediale (AMShM) riaktualizuan edhe një herë çështjen e informimit dhe përgjegjësisë së medias për mbulimin e fushatës zgjedhore. Nuk di se çfarë është metodologjia dhe kriteret e AMSHM-së për të vlerësuar informimin jo të balancuar, por besoj se rasti i mësipërm do të kishte qenë një argument më tepër. Shikueshmëria dhe besueshmëria e publikut që janë fituar me angazhimin profesional vite me radhë, nuk duhet të flijohen për shkak të ndonjë agjende politike rivalësh, aq më tepër, me qasje të pa balancuar.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)