Krahas dukurisë së emigrimit të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve evropiane, por edhe më gjerë, një dukuri tjetër është edhe migrimi i brendshëm, që kryesisht ka si destinim braktisjen e zonave rurale dhe për një jetë të re në viset urbane.
Punësimi dhe arsimimi, shihen ndër arsyet kryesore pse njerëzit preferojnë t’i braktisin fshatrat për të jetuar në qytete.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në vitin e kaluar, janë shënuar rreth 9 mijë raste të lëvizjeve të brendshme të popullsisë, nga një komunë në tjetrën, kryesisht nga viset rurale në ato urbane.
Hajriz Ademi, ka 15 vjet që është larguar me familje nga një fshat në rrethinën e Komunës së Prishtinës, për t’u vendosur për banim brenda kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë.
Ademi, i cili punon në sektorin e arsimit,së bashku më tetë anëtaret e familjes jeton në një banesë në një nga lagjet e Prishtinës. Ai thotë se ka qenë i detyruar për një vendim të tillë, pasi sipas tij, edhe pse infrastruktura rrugore është rregulluar, arsimimi dhe punësimi i fëmijëve në qytete është më i lehtë sesa në viset rurale.
“Janë disa rrethana dhe kontradikta krejt ndryshe. Duke pasur parasysh elementin bujqësor i cili ka humbur kuptimin e vetë, tani njeriu duhet të lëshojë vendlindjen dhe të afrohet afër ndonjë qendre për arsye pune apo të mirave materiale, pasi që fshati i ka humbur ato të mira dhe nuk leverdisë më për të gjithë”, thotë ai.
Shpërnguljet e mëdha të popullatës nga vendet rurale në ato urbane, nisën që prej para luftës, kurse vazhduan me një ritëm edhe më të lartë pas luftës.
Kryeqyteti Prishtina, dominon si destinacioni më i pëlqyer për migrim. (rel)