Prishtinë, 22 janar 2018 – Të gjithë fëmijët në Republikën e Kosovës, pavarësisht moshës do të pajisen me letërnjoftime i cili mund të përdoret edhe si si dokument udhëtimi me ato shtete që Kosova ka marrëveshje .
Ky dokument, sipas mediave kosovare, gjithashtu do të përdoret si kartelë shkollore, shëndetësore, bankare etj, ku qasje në këto të dhëna do të kenë institucionet përkatëse.
Agjencia për Regjistrim Civil ka kërkuar plotësim- ndryshimin e Ligjit për Letërnjoftime dhe është duke punuar në këtë koncept dokument, ndërsa pritet që të aprovohet gjatë këtij muaji në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, më pas dërgohet në Qeveri.
Drejtoresha e Zyrës për Komunikim Publik në këtë Ministri, Roksana Qarri, tha për Radio Kosovën se synimi është që brenda këtij viti të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit si dhe do të fillohet me lëshimin e letërnjoftimeve për fëmijë.
“Ky dokument mund të përdoret për shërbime shëndetësore, në institucionet shëndetësore, në institucionet edukative arsimore, kopshte si dhe shkollat, si dhe më e rëndësishmja është që ky dokument mund të përdoret si dokument udhëtimi me ato shtete që kemi marrëveshje. Të gjithë fëmijëve pavarësisht moshës dhe kohës së lindjes mund të pajisjen me këtë letërnjoftim”, deklaroi Qarri.
Me këtë ligj do të bëhet avancimi i menaxhimit të të dhënave elektronike dhe përfitimet do të jenë të mëdha. Theks i veçantë do të jenë fëmijët, të cilët do të pajisen me letërnjoftim që nga lindja. Procedura për pajisjen e fëmijëve me letërnjoftime do të bëhet sipas standardeve të ICAO, ashtu siç janë për pasaporta.