“Nuk ka vit kur nuk është realizuar Rebalanc. Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre janë realizuar si rrjedhojë e pagesës së dobët të së ardhurave. Për momentin kemi pagesë shumë të mirë të të ardhurave, por gjithsesi mendojmë se si të shpërndajmë më mirë mjetet”, theksoi Tevdovski
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 qershor – Një pjesë e ministrive në Maqedoni kanë filluar përgatitjet për Rebalancin e Buxhetit që pritet të realizohet në muajin korrik. Pas tre javësh do të dihet edhe saktësisht se cilat dikastere do të fitojnë më shumë mjete dhe cilat do të shkurtojnë mjetet, shkruan gazeta KOHA. Nga Ministria e Bujqësisë paralajmëruan se do të kërkojnë më shumë të holla për subvencione dhe investime të ndryshme në bujqësi dhe blegtori.
“Pres një dinamikë më të madhe të realizimit të investimeve kapitale në pjesën e dytë të vitit. Gjithashtu do të nevojiten të holla për subvencione, megjithatë pres që me përllogaritjen përfundimtare, pas rebalancit edhe do të sigurohen mjete për këtë dedikim”, theksoi ditë më parë ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski.
Në ndërkohë, në fillim të muajit maj, ministri i Financave, Dragan Tevdovski, tha se aktualisht shënohet pagesë shumë e mirë e të ardhurave, ndërsa opinioni do të njoftohet kur do të ketë Rebalanc të buxhetit.
“Nuk ka vit kur nuk është realizuar Rebalanc. Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre janë realizuar si rrjedhojë e pagesës së dobët të së ardhurave. Për momentin kemi pagesë shumë të mirë të të ardhurave, por gjithsesi mendojmë se si të shpërndajmë më mirë mjetet”, theksoi Tevdovski në fillim të muajit maj.
Gjithashtu, në nivelin e shkurtimeve të mjeteve në sektorë të caktuar dhe ndarjen e më shumë mjeteve në sektorë të tjerë si shfrytëzues të mjeteve buxhetore, do të ndikojë edhe realizimi i ulët i investimeve kapitale në katër muajt e parë të vitit, si dhe rishpërndarja e mjeteve prej 25 milionë euro të kursyera nga ndërmarrjet publike për projekte të ndryshme infrastrukturore.
Vitin e kaluar, Parlamenti i Maqedonisë e miratoi Rebalancin e buxhetit më 6 gusht. Rebalanci i vitit të kaluar shkurtoi harxhimet joproduktive të Qeverisë dhe institucioneve të tjera për 122 milionë denarë, si dhe harxhimet e tjera për 257 milionë denarë. Në të kaluarën, me rebalancet e ndryshme janë harmonizuar dallimet midis të ardhurave dhe harxhimeve të projektuara dhe të realizuara siç janë edhe investimet kapitale.
Në vitin 2016, Rebalanci u miratuar nga organi ligjvënës dhe të zgjedhurit e popullit më 29 korrik. Ndryshe, pas miratimit në seancë qeveritare, Rebalanci duhet të kalojë në Parlament. Së pari duhet të shqyrtohet nga ana e Komisionit për financa dhe buxhet, ndërsa më vonë – pas debatit dhe pranimit apo mospranimit të amendamenteve të caktuara që propozohen nga deputetët e shumicës dhe opozitës, duhet edhe të miratohet nga shumica në Parlament. (koha.mk)