Delvina KËRLUKU
Bajrush Mjaku u lind në janar të vitit 1952, në fshatin Gjurgjedell që gjendet në Grykën e Kaçanikut. Shkollimi: Kaçanik-Shkup-Prishtinë. Ka interpretuar mbi 120 role, është nderuar me mbi 20 çmime në vend dhe jashtë vendit. Jeton në Shkup, vepron në skenat e territoreve shqiptare e më gjerë.
KOHA: Ke punuar në teatër dhe vazhdoni të jeni aktiv, a ia vlejti barra qiranë?
MJAKU: Me punën time 42 vjeçare në teatër, besoj se i kam bindur artdashësit se unë jam ndoshta prej aktorëve të rrallë që teatrin e barti në vete, ndërsa pjesa dërmuese e aktorëve, fatkeqësisht, e duan veten në teatër. Shumë herët i kam siguruar vetes vend në skenë dhe kjo, skena, vazhdon të më mbajë vertikalisht, pa përjetuar asnjë herë përplasje apo rënie nga vertikalja në horizontalen. Po, them se ia ka vlejti barra qiranë.
KOHA: Librin me titull “Urtësi e marrëzi” Ju ua dedikoni të dashurve, por edhe dashakëqijve . Kush janë ata?
MJAKU: Nga e keni këtë informatë, libri akoma nuk është botuar!
KOHA: Gazetarët këtë rol e kanë!
MJAKU: Dashakeqët i kam konsideruar dhe vazhdoj t’i konsideroj të gjithë ata të cilët me veprimet e tyre me dashje apo pa dashje, me qëllim apo pa qëllim (e të paqëllimshëm ka pak), janë munduar që të më vënë ndërskamsa të ndryshme, në mënyrë që ta ma ndërrojnë pozitën nga vertikalja në horizontale. Por, asnjëherë nuk ua kam ofruar kënaqësinë që të më shohin të shtrirë, të rrëzuar për toke, por, përkundrazi, ata më kanë dhënë kurajo që të vazhdoj me punë që di ta bëjë me përkushtim. Libri “Urtësi e marrëzi”, përkundër faktit se nuk ka mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, do të sheh dritën e bardh dhe do e botoj. Ky libër, përveç se do jetë një biografi e imja, do mund të përdoret edhe si monografi e Teatrit Shqiptar (kur duhet ta përkujtojmë faktin se Teatri Shqiptar, edhe pas 65 vjet pune nuk ka arritur të botojë një monografi), me që unë këtu flasë për rrugëtimin, zhvillimin e Teatrit Shqiptar dekada me radhë, ku unë me kolegët e mi kem dhënë një kontribut të pakontestueshëm në këtë drejtim. Ajo që do jetë interesante për lexuesit, është fakti se për të gjitha ato shfaqje që flas, jam munduar t’u bëj një historik të vogël, koha kurë janë punuar ato shfaqje, çka na ka shtyrë të jemi apo të interpretojmë në ato shfaqje, pse pikërisht atë autor apo pse me atë regjisor, ku kemi arritur t’i shfaqim, në cilat qendra, domethënëse brenda e jashtë vendit, si dhe sa u vlerësuan nga artdashësit apo kritikët e teatrit në vend e jashtë vendit, por edhe për të gjitha “marifetllëqet” që bëheshin pikërisht nga dashakeqët….
KOHA: Ka Teatër të Kombësive në Maqedoni?
MJAKU: Ka pasur Teatër të Kombësive, deri sa trajtoheshim nga sistemi i kaluar si kombësi, por ajo firmë i mbeti të kaluarës.
KOHA: Sot ka Teatër Shqiptar në Shkup?
MJAKU: Po, ka, edhe atë me një histori të bujshme teatrore 65 vjeçare. Në librin tim “Urtësi e marrëzi” gjeneratat e ardhshme, brezat e rinj, do të mësojnë se në Shkup ka pasur, ka dhe do ketë Teatër Shqiptar.
KOHA: Gjendja e teatrit: “partizim i teatrit” apo “mbyllje në vetvete?
MJAKU: (Kollitet) Zhvillimin apo rrugëtimin e Teatrit Shqiptar në Shkup, e kam ndarë në disa etapa: Teatri Shqiptar në Shkup regjistroi dhe përjetoi të gjitha kohërat dhe stuhitë të cilat dominuan në këto hapësira. Ashtu siç frynin “erërat” në rrafshin politik në ish Jugosllavi, ajo “erë” ndjehej edhe në teatër. Jo rastësisht gjatë kësaj historie relativisht të shkurtër të këtij teatri, emërtimi (firma) i teatrit u ndryshua disa herë: Startoi në vitin 1950 si “Teatri i Pakicave”, e më vonë si “Teatri i Nacionaliteteve”, e më vonë si “Teatri Shqiptaro Turk”, e pastaj “Teatri i Kombësive”, kurse nga viti 2006 si “Teatri Shqiptar”. Rrugëtimin e Teatrit e kam ndarë në disa korniza të zhvillimit: Dekada e parë e formimit, respektivisht faza në të cilën karakteristikë themelore e veprimit në skenë ka qenë entuziazmi romantik.
Faza e dytë, janë vitet e tentimit të konsolidimit të shprehjes skenike.
Faza e tretë janë vitet e pjekurisë aktoreske si dhe kërkimi i identitetit artistik.
Faza kur pasuan vitet e prezantimit në Europë dhe
Fazën e fundit e kam definuar si “partizim” i teatrit apo “mbyllja në vetvete”.
(Ndez cigaren – puro) Partizimi. Në sistemin e kaluar, që deshi Zoti dhe secili u mundua në mënyrën e vet të kontribuojë që të përmbyset ai sistem, partia ishte pushtet dhe pushteti parti. Kam frikën se e njëjta po na përsëritet. Nëse viteve të 90-ta Teatri Shqiptar me produksionin e vet arriti që nëpërmjet shfaqjeve: “Furka e mistershme”, “Baali”, “Mbreti Lir”, “Nesër nisemi për në parajsë”, “Eshtrat që vijnë vonë”, të intrigojmë qarqet teatrore, festivaleske, apo kryeqendrat më të mëdha në Evropë, sot sikur na kanë harruar. Kjo pasi nuk kemi çfarë ju ofrojmë dhe sikurse nuk na interesojnë festivalet ku ngjishen kulturat. Kam frikën se jemi mbyllur në rrugicën tonë, bëjmë shfaqje për këtë rrugicë, duke dashur që të jemi të parët në festivalet e nënqiellit shqiptar, por sikur s’na intereson të dalim jashtë këtij nënqielli.
KOHA: Më mirë aktor mashkull apo aktor femër?
MJAKU: Njëjtë janë të vlefshme. Sikur në jetë që jemi të lidhur, po aq edhe në skenë. Njëri pa tjetrin nuk mundet.
KOHA: Hekur në dorë apo zinxhir në këmbë të kanë vënë në skenë dhe në jetë?
MJAKU: Janë munduar të më vënë zinxhirë në këmbë, që të mos eci në skenë. Në vitin 1981 organizata e Partisë komuniste në teatër, më diferencoi si nacionalist, separatist, irredentist. Me këtë fakt, më dhanë edhe më shumë shtytje për të punuar dhe të tillët të mundohem t’i bindi se vendin e kam në skenë e kurrsesi atje ku ata mendonin, në pranga.
KOHA: Vetë apo me shokë nuk dorëzohesh?
MJAKU: Rrugëtimin tim në jetën teatrore e kam bërë me shokë – kolegë. Deri në momentin e vetëdijesimit tim kur e kuptova se ishte i pamundur të vazhdon ky rrugëtim, atëherë iu ktheva vetvetes. Në vitin 2001 themelova produksionin tim të pavarur, kur edhe e punova monodramën “Ditari i një të çmenduri”, në një kohë e pa kohë, kur forcat e armatosura shqiptare luftonin me ushtrinë – policinë maqedonase dhe ku unë pikërisht me çmendurinë e Poprishkinit u mundova t’i jap përgjigje kohës dhe mendoj se isha i suksesshëm.
KOHA: Më mirë me shokë a i vetëm?
MJAKU: Me shokë arrita të realizohem. Shumë dashamirë mendojnë se kam arritur kulmin në aktrim, por jo. Kulmi është shumë lartë. Po mundohem edhe sot e kësaj dite të ec asaj rruge.
KOHA: Gojëdhënat apo kritikat i pranon?
MJAKU: Kritikat e mirëfillta janë të mirëseardhura.
KOHA: A keni vjedhur ndonjëherë?
MJAKU: Dashakeqët të cilët zënë vend te posaçëm ne monografinë time “Urtësi e marrëzi”, në vitin 2006 më padisin penalisht gjoja për abuzim të buxhetit të Dramës Shqiptare, ku unë në vitin 2004 isha drejtor i dramës. U desh që dy vjet gjyqi të merret me këtë lëndë dhe pas dy viteve, gjyqi, duke u bazuar në fakte dhe dëshmi të cilat i posedoja, padinë e hedh poshtë si të pa bazë dhe më liron nga kjo shpifje. Ja, ky është vetëm një nga marifetllëqet e “dashamirëve”!
KOHA: Si e interpretoni fishkëllimën në teatër?
MJAKU: Nuk më ka ndodhur deri më sot që t’më fishkëllejë ndokush në teatër. Kam përjetuar vetëm duartrokitje.
KOHA: Monolog a dialog në skenë?
MJAKU: Jam prej atyre aktorëve që jam dëshmuar edhe në dialog edhe në monolog.
KOHA: Më mirë çmim apo duartrokitje pa fund?
MJAKU: Çmimi është diçka që të ngelë, ndërsa duartrokitja është kënaqësi dhe aprovim i punës së bërë.
KOHA: Njihni atdheun tuaj?
MJAKU: Shumë mirë. Atdheu im është skena. Nëpërmjet skenës kam folur edhe për atdheun, edhe për vendlindjen.
KOHA: Më mirë gjeneral i ushtrisë së vdekur apo boss i lypsarëve?
MJAKU: Si gjeneral i ushtrisë së vdekur e kam provuar, meqë e kam interpretuar në skenë gjeneralin, por si boss nuk jam ai. Edhe unë i takoj asaj bote të lypsarëve.
KOHA: Eshtrat më mirë në thes si dëshmi historike apo në varr me eshtra gomarësh?
MJAKU: Shumë më mirë në thes, si dëshmi historike.
KOHA: Ç’ domethënie ka për ty Kaçaniku?
MJAKU: Kaçaniku për mua ka qenë dhe mbetet frymëzim.
KOHA: Më mirë aktor në Shkup apo në ndonjë vend tjetër?
MJAKU: Në vitin 1991 pas shfaqjes “Marat Sade” ku unë si mysafir në Teatrin Pralipe, interpretoja rolin e Markezit De Sade, me rastin e shfaqjes në teatrin e Roberto Çulit në Mylhajm And De Rur, vet Roberto Çuli m’u lut që të ndalem në trupën e Rrahim Burhanit për dy vite, sa ta mësoj gjuhën gjermane dhe pas dy vitesh do të isha aktori kryesor në teatrin e tij. Nuk e ndava mendjen se duhet ta lija Teatrin Shqiptar të Shkup dhe u ktheva. Në vitin 1981 pas emërtimit tim si nacionalist, separatist dhe irredentist, Hazir Myftari, drejtori i Teatrit Krahinor në Prishtinë, m’i hapi dyert e teatrit, por përsëri nuk munda ta lë Shkupit dhe nuk kam ndërruar mendje, sepse Teatri i Shkupit ka pasur nevojë për mua, aq sa edhe unë për të.
KOHA: Shokët e fëmijërisë a të teatrit më besnik?
MJAKU: Shokët më besnik më kanë mbetur personazhet që i kam interpretuar.
KOHA: Më mirë i fesë a ateist?
MJAKU: Kuptohet, më mirë i fesë.
KOHA:Teki Dervishi, kush është për ju?
MJAKU: Atdhetar, shkrimtar, poet dhe dramaturgu më i mirë shqiptar. Jam krenar që jo vetëm që e kam njohur, por që kemi qenë shokë të afërt me dekada.
KOHA: Regjisori juaj i preferuar?
MJAKU: Ka shumë që i kam përvetësuar e më kanë përvetësuar.
KOHA: Shkrimtari juaj?
MJAKU: Kadare.
KOHA: Më shumë emocione ju japin dramat shqiptare apo të huaja/
MJAKU: Varet prej temës dhe personazhit që e interpretoj.
KOHA: Ke punuar për para a për famë?
MJAKU: Unë gjithnjë jam munduar të bëj punën time. Puna më ka sjell edhe famën edhe paratë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.