“Shumë pak komunat merren me çështjet e përditshme të qytetarëve dhe kompetencat që ata i kanë. Komunat më shumë merren me punë që nuk duhet të merren, respektivisht merren me politika të mëdha, kurse punë më e mirë për Tetovën është planifikimi më i mirë për qytetin, dhënia e shërbimeve më të mira komunale dhe jo çështje për të cilat ata nuk kanë nevojë”, deklaroi Memeti
Urim HASIPI
Tetovë, 19 dhjetor – Bashkëpunimi në mes Komunës së Tetovës dhe institucionit të Avokatit të Popullit është në nivel të ulët dhe duhet të intensifikohet. Kështu tha dje Biljana Bejkovska, nga Info Qendra gjatë një debati publik të organizuar në Tetovë, shkruan gazeta KOHA.
“Të dhënat e Avokatit të Popullit tregojnë se pushtetet lokale nuk janë transparente, nuk janë të hapura ndaj ankesave të qytetarëve dhe nuk janë efikase në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Pjesa më e madhe e parashtresave që arrijnë deri tek Avokati i Popullit kanë të bëjnë me pushtetet lokale dhe kryesisht këto parashtresa kanë të bëjnë me planet urbanistike, ndotjen, ambientin jetësor, shërbimet komunale, tatimi mbi pronën, sfera këta që janë në kompetencë të komunave. Gjatë vitit 2017, zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë ka qenë e dyta për nga numri i parashtresave. Mbi 370 parashtresa janë dorëzuar”, tha Bejkovska.
Në ndërkohë, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, ka numëruar një sërë problemesh me të cilët përballen qytetarët, sidomos kur është në pyetje drejtësia. “Gjatë vitit 2018, më karakteristike kanë qenë shkeljet e të drejtave dhe liritë e njeriut në sferën e të drejtave ekonomike dhe sociale. Pra, ata ishin në shenjëstër. Po ashtu, edhe gjyqësori në Maqedoni paraqet një shtyllë të sistemit, tek e cila qytetarët nuk kanë besim. Në vitin 2018, numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë nga Avokati i Popullit që kanë të bëjnë me gjyqësorin, është rritur për 61 për qind, e cila është një e dhënë mjaft shqetësuese. Në këtë sferë, patjetër duhet të ndërmerren hapa më radikal për reformim dhe jo vetëm të flitet në mënyrë sipërfaqësore”, tha Memeti.
Ai më tej u shpreh se ka ankesa edhe sa i përket të drejtave lidhur me marrëdhënien e punës, dukuri kjo tek pushtetet lokale.
“Kur përfundojnë zgjedhjet lokale, kryetarët e komunave me ardhjen në krye të institucionit mendojnë dhe praktikojnë politika të gabueshme, me largim nga puna të personave që nuk u përkasin partive të tyre dhe punësojnë persona që janë pjesë e partive të tyre. Çështja e partizimit të institucioneve është një problem i madh në Maqedoni dhe duhet të punohet në këtë drejtim. Çështja tjetër që dua ta theksoj janë të drejtat sociale, për të cilët shteti në njërën anë promovon ose miraton ligje të mirëfillta, kurse në anën tjetër nuk ndanë mjete që ata ligje të funksionalizohen”,tha Memeti.
Më tej, ai është shprehur se nuk është i kënaqur me numrin e ankesave nga ana e qytetarëve që arrijnë në zyrën e Avokatit të Popullit në Tetovë.
“Mendoj se numri është i paktë në krahasim me numrin e popullatës, sepse është e vërtetë që në zyrat në Tetovë dhe në Manastir, ka numër më të madh të ankesave, por duke patur parasysh numrin e popullatës që jetojnë, ky numër është shumë i vogël dhe duhet të jetë më i madh, sepse në nivel qendror, kemi rreth tre mijë raste që i shqyrtojmë si Avokat i Popullit, dy mijë janë nga Shkupi, kurse një mijë janë nga qytetet tjera. Në Tetovë, qytetarët ankohen më shumë për problemet komunale, urbanizmin… Mendoj se shumë pak komunat merren me çështjet e përditshme të qytetarëve dhe kompetencat që ata i kanë. Komunat më shumë merren me punë që nuk duhet të merren, respektivisht merren me politika të mëdha, kurse punë më e mirë për Tetovën është planifikimi më i mirë për qytetin, dhënia e shërbimeve më të mira komunale dhe jo çështje për të cilat ata nuk kanë nevojë”, deklaroi Memeti. (koha.mk)