Fatos RUSHITI
Shkup, 3 korrik – Për gjuhën shqipe u trumbetua shumë nga partitë politike shqiptare se do të bëhet gjuhë e dytë zyrtare pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar, shkruan gazeta KOHA. Tani kur jemi afër zgjedhjeve lokale, megjithëse LSDM me BDI dhe ASH kanë një marrë veshje për Ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive joshumicë në Maqedoni, tani nga LSDM tentohet që kjo çështje të zgjidhet pas zgjedhjeve lokale, duke kalkuluar me faktin se mund të pësojë në elektorat nëse gjuha shqipe avancohet para zgjedhjeve lokale. Dhe që të arsyetohet kjo para opinionit, kërkohet që draft-ligji për gjuhën shqipe të dërgohet për të marrë mendim në Komisionin e Venecias. Dhe në këtë drejtim, në BDI askush nuk është në gjendje të tregojë nëse Ligji për shqipen do të miratohet para zgjedhjeve lokale, ashtu siç ishte premtuar gjatë tërë fushatës zgjedhore, por edhe e paraparë në Deklaratën e partive shqiptare. Sipas profesorit universitar Bekim Kadriu, që në fillim është gabim të mendohet që Ligji, ende pa u miratuar në Parlament, të dërgohet në Komisionin e Venecias duke i faturuar këtë interesave të ngushta partiake. “Nuk duhet të jetë pengesë shqyrtimi nga Komisioni i Venecias për miratimin e Ligjit për gjuhën shqipe. Ligji mund të miratohet dhe të shqyrtohet më vonë nga ky Komision. Nga ana tjetër, pavarësisht se gjuha shqipe është kategori kushtetuese, Qeveria mund t’i drejtohet këtij Komisioni për një mendim. Por nuk është e domosdoshme që kjo të bëhet tani, para miratimit të Ligjit”, theksoi për gazetën KOHA, Bekim Kadriu. Ai vlerëson se mendimi që mund të japë në të ardhmen Komisioni i Venecias nuk ka gjasa të jetë kundër avancimit të gjuhës shqipe, ngaqë sipas tij, avancimi i gjuhëve parashihet saktë me Kartën Evropian për gjuhët rajonale të pakicave. “Gjithashtu, avancimi i gjuhës shqipe konform Kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare nuk do të jetë në kundërshtim me mendimin e Komisionit të Venecias. Nga ana tjetër, edhe mendimet e këtij Komisioni nuk mund të jenë kundër avancimit të gjuhës shqipe, sepse një avancim i tillë implikon edhe Kartën evropiane për gjuhët rajonale dhe të pakicave. Përkundrazi, mendimet e Komisionit do të jenë në favor të avancimit të gjuhës shqipe. E vetmja gjë që duhet të ruhet është përputhshmëria e Ligjit me Kushtetutën, konkretisht të mos tejkalojë atë që parasheh Kushtetuta. Këtë gjë duhet ta kenë parasysh subjektet politike, dhe mendimi i Komisionit do të jetë pikërisht këtu”, konstaton Kadriu.
Lidhur me instalimin e gjuhës shqipe në uniformat policore dhe ushtarake dhe në kartëmondha, Bekim Kadriu thotë se Komisioni Venecias do të ndihmojë të tejkalohen këto dallime. “Ne e dimë që LSDM dhe BDI kanë pasur mendime të ndryshme lidhur me gjuhën shqipe në kartëmonedha dhe uniformat policore. Ndoshta mendimi i Komisionit të Venecias është i nevojshëm pikërisht të tejkalohet ky dallim në mendime. Në aspekt kohor, nuk është pengesë nëse Ligji miratohet edhe pas zgjedhjeve lokale, sepse bëhet fjalë për një Ligj të rëndësishëm për te shqiptarët, dhe nëse duhet të miratohet Ligj i qëndrueshëm në aspekt të Kushtetutës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, nuk pengon nëse Ligji miratohet muaj më herët ose më vonë”, thotë Kadriu, profesor në Fakultetin Juridik në UT. Ndërkaq eksperti tjetër, Bashkim Selmani, shprehet se kur Kushtetuta e parasheh qartë përdorimin e gjerë të gjuhës shqipe, kjo sipas tij, është dashur të ndodhë më herët. Por, thotë ai, ideja që të çohet në Komisionin e Venecias as që duhet të ndodhë. “Kushtetuta shumë qartë dhe në mënyrë precize e parasheh përdorimin e gjerë të gjuhës shqipe, por nga pala maqedonase nuk është lexuar si duhet zgjidhja kushtetuese. Ideja që të dërgohet në Komisionin e Venecias ende pa u miratuar Ligji, bëhet pastër vetëm për ta arsyetuar para opinion maqedonas avancimin e gjuhës shqipe, i cili është një proces i pashmangshëm. Sado që do të mundohen të shtyhet ky avancim, do të jetë e kotë – pasi në fund të fundit, kur nisin negociatat për anëtarësim – ne duhet ta kemi kryer këtë çështje ashtu siç e parasheh Kushtetuta”, theksoi për gazetën KOHA Bashkim Selmani. Ai mendon se Komisioni i Venecias as që do të lodhet shumë, por do të vlerësojë menjëherë se është në pajtim të plotë me Kushtetutën, pasi siç thotë Selmani, bëhet fjalë për një të drejtë themelore që i takon mbi 25 përqindëshit të një etniteti në Republikën e Maqedonisë. “Nuk do të marrin mundin as të lodhën anëtarët e Komisionit të Venecias, duke vlerësuar menjëherë se draft-ligji i propozuar nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi këtu kemi të bëjmë me ushtrimin e një të drejte themelore të mbi 25 për qind të popullatës shqiptare që jeton në Maqedoni”, theksoi Selmani. Ndryshe, në LSDM nuk ka disponim që Ligji për gjuhën shqipe të miratohet para tetorit, konkretisht para zgjedhjeve lokale, gjë që kundërshtohet nga BDI dhe Aleanca për Shqiptarët. Madje, në një prononcim për gazetën KOHA, vet Ziadin Sela, kryetar i LR-PDSH-së, kërcënoi se do ta braktis Qeverinë nëse ligji për gjuhën shqipe nuk miratohet në 100 ditëshin e parë të punës së Qeverisë së Zoran Zaevit. Në BDI ndërkohë nuk ka një qëndrim të prerë, pasi pothuajse në çdo ditë ndryshojnë deklaratat rreth afatit për miratimin e këtij Ligji.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.