Bujar KURTAJ
Shkup, 7 prill – Trajneri i KH Rinia, Muhamed Ismaili është emëruar seleksionues i përfaqësueses së hendbollit të Shqipërisë në konkurrencë të meshkujve. Një rast historik për vetë Ismailin, i cili deri në këtë post erdh me kërkesë të presidentit të Federatës Shqiptare të Hendbollit, Nesim Jahollari, derisa ai bëhet trajneri i parë nga Maqedonia që do të drejtojë një kombëtare të Shqipërisë. Ndryshe për gazetën KOHA, Ismaili shpreh përshtypjet e para pas emërimit të tij në postin e seleksionuesit të Kombëtares së Shqipërisë, planet e tij dhe të ardhmen në klubin e hendbollit “Rinia”. “Po, është e vërtetë se jam emëruar seleksionues i kombëtares së hendbollit të Shqipërisë. Janë Armand Çakalli, sekretari gjeneral i federatës dhe kryetari Nesim Jahollari, që e kanë lëvizur hendbollin dhe ‘fajtorët’ kryesor që unë u emërova në këtë post. Kjo është ndjenjë e kamotshme dhe e pritur dhe kuptohet që vjen pas eksperiencës 40-vjeçare në sportin e hendbollit. Kjo gjë është krenari dhe përgjegjësi për mua. Për këtë unë jam njeriu më i lumtur mes shqiptarëve”, tha fillimisht trajneri Ismaili.
Ai thotë se ideja e tij është që të formojnë një kombëtare të mirë e cila me dinjitet do ta prezantojë Shqipërinë. “Puna e parë që do të bëjmë do të jetë formimi i një kontingjenti të mirë të lojtarëve. Të shtunën do të shkoj në Elbasan për të parë nga afër ndeshjen mes nikoqirit Elbasanit dhe Çelikut, pastaj do të shkoj në Vlorë, me të vetmin qëllim që të përcjell disa nga lojtarët e këtyre ekipeve. Jam njoftuar se në mesin e tyre ka lojtar të mirë të cilët do ti shërbejnë shumë kombëtares”, shtoi më tej trajneri shkupjan. Ndryshe, Ismaili pranon se në kombëtare do të ketë lojtar edhe nga trojet tjera. “Pos atyre nga Shqipëria, planifikoj që në kombëtaren kuqezi të inkuadroj edhe lojtar nga trojet tjera dhe lojtar shqiptar që luajnë në kampionatet e huaja, përfshi këtu edhe lojtar nga Maqedonia. Nuk jam përcaktuar se cilët do të jenë ata, derisa për momentin po punojmë që disa lojtarëve t’ua sigurojmë shtetësinë shqiptare. Jam në kontakte të vazhdueshme me sekretarin Arman Çakallin dhe jemi në pritje të takimit me kreun e Federatës Hendbollistike të Shqipërisë Nesim Jahollari, i cili gjendet në Itali dhe më pas do të dihen më shumë detaje”, nënvizoi më tej Ismaili, i cili edhe më tej do të mbetet në krye të KH “Rinia”. “Sigurisht se do të mbetem trajner i KH ‘Rinia’. Do të mungoj vetëm atëherë kur do të jem i grumbulluar me kombëtaren shqiptare”, përfundoi deklaratën e tij për gazetën KOHA, tanimë seleksionuesi i ri i Kombëtares së Shqipërisë në Hendboll, Muhamed Ismaili. Ndërkohë, Shqipëria do të marrë pjesë në kampionatin e vendeve në zhvillim për senior (deri 24 vjeç), që do të mbahet në bullgari nga 12 deri më 18 qershor të këtij viti.
Strezovski dhe Metallari urojnë Ismailin
Sapo është emëruar për seleksionues i Kombëtares së Shqipërisë në Hendboll, Muhamed Ismaili ka marr urime nga të gjithë punëtorët sportiv, përfshi këtu edhe ish-seleksionuesin e Përfaqësueses së Maqedonisë për meshkuj dhe femra Gino Strezovski, i cili aktualisht është kryetar i Shoqatës së trajnerëve në Maqedoni dhe ligjërues në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF), dhe nga Komisari i Ligës Kamer Metallari. Ky i fundit i ka premtuar mbështetje të pa rezervë Ismailit gjatë udhëheqjes së tij të kombëtares kuqezi.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.