Shkup, 14 nëntor – Filmi më i ri i metrazhit të shkurtër “Decision” i cili vjen si produkt i produksionit “Galaktika” sonte në Kinotekën e Maqedonisë në Shkup do ta ketë premierën e tij.
Rrëfimi është për një vjedhës, i cili do të duhet të marrë një vendim jetësor pasi që ka vjedhur banesën e një gruaje të moshuar, e cila sëmuret rëndë.
Producent i këtij filmi është Bunjamin Kurtishi ndërsa vjen me regji të Agim Abdulla. Rolet kryesore në film i interpretojnë aktorët e njohur nga Maqedonia si Ajetja Rexhepoviq, Amernis Nokshiqi, Burhan Amiti, Ismet Ramadani, Ajshe Useini si dhe aktori i njohur kosovar, Naser Rafuna.
Kjo dramë është xhiruar në Shkup dhe është mbështetur nga Agjencia e Filmit e Republikës së Maqedonisë.
Pas premierës në Shkup, filmi pritet që të shfaqet edhe në disa festivale ndërkombëtare të Kategorisë A.