Mohamed Salah ka prishur sot agjërimin dhe nuk do të agjërojë as nesër, në ditën e finales së madhe të Champions League, sipas asaj që ka bërë të ditur mjeku i Liverpool.
Egjiptiani është një mysliman i devotshëm dhe si i tillë po agjëron gjatë gjithë muajit të shenjtë të Ramazanit që nisi më 16 maj dhe mbaron më 14 qershor.
Por feja islamike ka një rregull që i lejon udhëtarët të ushqehen kur janë në rrugë, larg shtëpisë apo vendbanimit të tyre, kësisoj Salah mund t’i rikuperojë këto dy ditë në një periudhë tjetër të vitit, pasi në Kiev ai quhet udhëtar!
“Kur ishim në përgatitjet në Spanjë, në Marbella dietologët tonë përpiluan një plan special për Salah dhe Mane, – tha mjeku i Liverpool për “Cadena SER”, – por në Ukrainë kjo nuk vlen, sepse ai do të ushqehet rregullisht si pjesa tjetër e futbollistëve gjatë këtyre dy ditëve që konsiderohet si udhëtar.”
Salah nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare që kur ka nisur Ramazani, pasi për herë të fundit ka qenë në fushë më 13 maj, në ndeshjen e fundit të Premier League, ku shënoi një nga katër golat në fitoren e Liverpool, të 32-in për të në Angli, të 44-in në sezon.