Qeveria turke duket se është “zënë në grackë” pas tensionit me qeverinë amerikane. Inflacioni në vend ka kapur majat dhe si pasojë çmimet po shkatërrojnë konsumatorët vendas. Gjithashtu, dobësimi i monedhës vendase, rritja e borxhit dhe tarifat tregtare të vendosura nga Presidenti amerikan, po detyrojnë qeverinë e Erdogan të gjejë një zgjidhje shpejtë. Dhe zgjidhja duket të jenë qepët!
Ministri i Financës, Berat Albayrak, ka urdhëruar inspektorët përkatës që të monitorojnë dhe ndalojnë shitjen e produkteve agrikulturore me çmime marramendëse, duke u përqendruar sidomos tek qepët. Njëkohësisht, bujqit vendas po nxiten të prodhojnë qepë në mënyrë që të zbutet efekti i inflacionit mbi çmimin e tyre. Të enjten, nga kontrollet e bëra, u gjetën 30 tonë qepë në një magazinë, gjë që shkaktoi dhe reagime të shumta.
“Nuk do lejojmë stokun e mallrave pasi askush nuk ka të drejtë tu shesë qytetarëve të mi produkte me çmime të larta”, shprehu Albayrak, njëkohësisht dhe dhëndri i presidentit.
Edhe pse ky aksion mori një vëmendje të madhe në mediat pro-qeveritare, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për rrjetet sociale ku shpërtheu humori.
“Lironi qepët”, shkruan ekonomisti Alaattin Aktas, ndërkohë që dikush tjetër tallet duke thënë se më parë lexoheshin lajme rreth heroinës apo armëve, ndërsa tani sekuestrohen qepë.
Duhet thënë se e gjithë kjo fushatë qeveritare për gjurmimin e qepëve, shihet nga mediat si një tentativë për të shpërqendruar publikun nga kriza ekonomike. Inflacioni kapi vlerën e 25% në shtator, më e larta në 15 vitet e fundit. Çmimi i qepëve është dyfishuar dhe pritet të katërfishohet deri në fund të këtij viti.
Edhe pse Erdogan ka arritur të mbijetojë duke sponsorizuar projekte të mëdha si ura, autostrada apo aeroporte, kjo krizë mund të kërcënojë rëndë rikandidimin e tij si president./scan