Në ditët e fundit, ambienti i Juventusit nuk është i qetë në lidhje me zhvillet që kanë ardhur nga ultrasit e skuadrës, të cilët u ndaluan nga policia. Arsyeja e arrestimit ishte për shkak të implikimit të tyre në organizata kriminale, ndërsa së fundmi kishin kërcënuar edhe klubin e Juventusit në lidhje me biletat.
Kështu, drejtuesit e bardhezinjve patën kurajën të denonconin ultrasit teksa tashmë një pjesë e tyre janë pas hekurave. Ndërkohë, nga ultrasit kritika kishte marrë edhe sulmuesi Federiko Bernadeski, i cili në fundin e ndeshjes, bluzën e tij e kishte dhuruar në një tjetër sektor të stadiumit dhe jo pas portës. Përgjigja e italianit ishte e thjeshtë, ndërsa u shpreh se për atë tifozët e Juventusit janë të gjithë njëlloj dhe nuk ka diferencime.
“ Për mua tifozët janë të gjithë njësoj, të denjë dhe të rëndësishëm. Lexoj që ultrasit më kanë akuzuar se kam hedhur fanellën në një tjetër sektor. Dua të jem i qartë. Kur kam mundësinë të falënderoj fansat duke i dhënë bluzën nuk bëj ‘politikë’, as llogari se cili grupim është më i mirë. Për mua tifozët e Juves të cilët na mbështesin, kritikojnë, këndojnë dhe na vërshëllejnë janë të gjithë njësoj. Të rëndësishëm, sepse ajo çfarë na bashkon nuk është emri i grupimeve, por pasioni dhe ngjyrat bardhezi. Pjesa tjetër janë vetëm fjalë”, u shpreh Bernadeski.