Masat e gjera për tërheqjen e investimeve të huaja si besimi në institucione, sundimi i ligjit, kontrolli i korrupsionit , ndërtimi i infrastrukturës përkatëse , sistemi arsimor cilësor sipas nevojave të tregut të punës janë kyçe në ndërtimin e imazhit të një destinacioni atraktiv për kompanitë e huaja, konstaton studimi i Qendrës për Analiza Ekonomike
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 29 korrik – Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në garë për investitorë të huaj, duke ju ofruar si lehtësime ashtu dhe ndihmë shtesë financiare. Studimi i Qendrës për Analiza Ekonomike tregon se vetëm në vitin 2018, Maqedonia e Veriut me 0.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto si ndihmë për investitorët e huaj, ofron gati përgjysmë më pak në raport me mesataren e rajonit prej 0.7 për qind të PPB-së për joshjen e investitorëve të huaj. Serbia si më dorë lirë me 1.3 për qind të PBB renditet e para që shpërblen ardhjen e të huajve për të investuar. Pas saj pason Mali i zi me 0.8 për qind të PBB-së, Bosnje e Hercegovina me 0.5 për qind dhe Shqipëria me 0.22 për qind të PBB si ndihmë shtetërore.
AMBIENTI I PARASHIKUESHËM EKONOMIK
Nga ana tjetër, niveli mesatar i investimeve të huaja të drejtpërdrejta si përqindje e PBB-së në periudhën 2010-2018 është 3 për qind në Maqedoninë e Veriut, 8.4 për qind në Shqipëri, 6 për qind në Serbi, 12.3 për qind në Mal të zi dhe 2.3 për qind në Bosnje e Hercegovinë. Në ndërkohë, analizat e institucioneve relevante ndërkombëtare financiare tregojnë se përkundër përfitimeve që ofrojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor, megjithatë kryesorja për miratimin e vendimit të bordeve të kompanive të huaja si proces i gjatë që mund të shkojë edhe disa vjet nga interesimi fillestar, analizat e nevojshme dhe vendimi përfundimtar për të investuar në një shtet është ambienti i parashikueshëm ekonomik, shoqëror dhe politik.
Motivet dhe shkaqet që marrin parasysh investitorët e huaj mbi të gjitha janë ekzistenca e stabilitetit politik, i sigurisë dhe ambientit afarist-juridik dhe rregullator thuhet në raportin global të konkurrencës për investime për vitin 2018 të përgatitur edhe nga Banka Botërore. Faktorët e tjerë si infrastruktura, kualifikimet, talenti dhe shkathtësitë e fuqisë punëtore si dhe kostoja më e ulët e fuqisë punëtore sipas rëndësisë, janë të një dorë të dytë vlerëson më tej raporti.
Për 86 për qind të kompanive multinacionale, ligjet dhe ambient rregullator janë faktor kritik apo shumë i rëndësishëm që udhëzon për peshën që ka ky faktor gjatë miratimit të vendimit për investim. Shumë më poshtë në listën e prioriteteve, megjithatë jo më pak të rëndësishme theksohen edhe tatimet e ulëta, fuqia e lirë punëtore, qasja ndaj patundshmërisë dhe financave.
Investitorët e huaj më tej i rendisin në vendin e katërt masat stimuluese për investime para transparencës dhe parashikueshmërisë së qeverisë në vend të parë, ekzistencës së garancive për mbrojtjen e investimeve me ligj, thjeshtësisë së themelimit dhe vendosjes së aktivitetit afarist. Kjo tregon se stimulimet nuk mund të eliminohen, por ato nuk janë kryesore për të bindur investitorët e huaj.
BESIMI NDAJ INSTITUCIONEVE
Analiza rekomandon që bartësit e politikave së pari nevojitet të krijojnë një klimë të mirëfilltë investuese para se të mendojnë për masat stimuluese si mjet për tërheqjen e investitorëve.
Duke marrë parasysh se rajoni i Ballkanit Perëndimor po ballafaqohet me kriza të paparashikueshme politike dhe jostabilitet, nivel të ulët të sundimit të ligjit , ambient të paparashikueshëm rregullator, dhe të ngjashme që janë faktorë të rëndësishëm dhe kanë ndikim të madh relativ në nivelin e investimeve në të kaluarën , sugjerohet që këto shtete të kenë prioritet sajimin e një ambienti politik stabil, të parashikueshëm dhe me siguri juridike.
Analizat e bazuara në përvojat e shteteve të ndryshme tregojnë se raporti midis prurjes së investimeve të huaja, rritjes së prodhimit të brendshëm bruto dhe ndihmës shtetërore ka një ecuri pozitive.
“Analiza empirike tregon se ndihma shtetërore ndikon pozitivisht në tërheqjen e investimeve të huaja për një periudhë afatshkurtër, megjithatë në një periudhë afatgjate kompanitë e huaja e orientojnë kapitalin e tyre ndaj shteteve me shkallë më të larta të rritjes ekonomike. Kjo nënkupton se investimet e huaja të qëndrueshme janë në kërkim të tregjeve stabile dhe të zhvilluara ku sundon ligji dhe ekziston besimi ndaj institucioneve që përskaj masave të ngushta dhe ndihmës shtetërore kërkojnë edhe masa të gjera konform kushteve të tregut për udhëheqjen e biznesit në ekonominë efikase të tregut”, thekson analiza. Edhe pse vlerësohet se ndihma shtetërore mund të jetë faktor që do të tërheqë investimet e huaja, megjithatë sugjerohet që politikbërësit të matin mirë përfitimet nga mënyra e tillë e nxitjes së investimeve dhe derdhjeve të mundshme të kapitalit dhe të ardhurave në ekonominë vendore si dhe humbjeve nga lehtësimet tatimore. Duhet të merret parasysh edhe qëndrueshmëria e investimeve në raport me rrezikun që kompanitë të zhvendosin biznesin pas anulimit të stimulimeve.
Nga Qendra për Analiza Ekonomike shtojnë me tej se rajoni i Ballkanit perëndimor posedon përparësi të rëndësishme konkurruese edhe jashtë stimulimeve direkte si afërsia e tregjeve evropiane, marrëveshjeve për tregti të lirë me BE-në dhe shtetet e tjera, si dhe shkallët e ulëta të tatimeve dhe fuqia punëtore relativisht e lirë. Mirëpo nga ana tjetër, rajoni po ballafaqohet edhe me sfidat sundimit të ligjit, parashikueshmërisë së rregullativës, stabilitetit politik, korrupsionit, etj që janë faktorë kryesor për miratimin e vendimeve për investime. Andaj kërkohet edhe avancimi i tyre. Masat e gjera për tërheqjen e investimeve të huaja si besimi në institucione, sundimi i ligjit, kontrolli i korrupsionit, ndërtimi i infrastrukturës përkatëse , sistemi arsimor cilësor sipas nevojave të tregut të punës janë kyçe në ndërtimin e imazhit të një destinacioni atraktiv për kompanitë e huaja, konstaton analiza e Qendrës për Analiza Ekonomike. (koha.mk)