Në kërkim të shpëtimit te Zaevi

Për shkak interesave të ngushta partiake dhe përpjekja për mbijetesë në skenën politike, identiteti politik i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, është i rrezikuar nëse vazhdohet avazi dhe praktika e koalicioneve parazgjedhore mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, si në zgjedhjet lokale dhe në ato nacionale

Zenel MIFTARI

Shkup, 29 janar – Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve tashmë ka filluar përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 12 prill të këtij viti. Në Maqedoninë e Veriut, deri më tani, opinioni është i njoftuar për koalicionin e Alternativës të Afrim Gashit me Aleancën për Shqiptarët, koalicioni tradicional i VMRO-DPMNE-së si dhe tani më së fundmi koalicionimi mes LSDM-së me Lëvizjen Besa. Lëvizja Besa, e cila ka deklaruar se është parti nacionaliste, do të lidhë koalicion para zgjedhor me një parti maqedonase. Cili shkak e shtyu Lëvizjen Besa që të bëjë koalicion me LSDM-në dhe ti shkel parimet e saja. Sipas njohësve të çështjeve politike në vend thonë se lokomotiva kryesore e cila shtyu këtë parti të ketë një koalicion të tillë, parazgjedhor është mbijetesa politike e saj. Gazetari dhe publicisti Nazim Rashidi, shprehet për gazetën Koha, se në Maqedoninë e Veriut, debati politik ka ardhur në një fazë, ku koalicionet nuk përbëjnë më edhe aq habi, qofshin para ose pas zgjedhjeve, sepse kemi parë koalicione të ndryshme por edhe tendencë të votuesve shqiptarë që të votojnë përtej partive etnike. “Ajo që duhet të jetë parasysh është principet e koalicionit dhe ndërtimi i programeve të besueshme. Presioni konstant nga njerëzit është rritja e cilësisë së përfaqësuesve politik, rritja e përgjegjshmërisë së tyre, si dhe zbatimi i premtimeve. Debatet se kush me kë do ketë koalicion nuk duhet të vënë në hije kërkesat e njerëzve për përfaqësim më dinjitoz”, shprehet Rashidi. Sipas tij, nuk duhet të krijohet përshtypja se gjithçka bëhet veç për të ardhur në pushtet, sepse do të rriste zhgënjimin tek opinioni dhe votuesi. Ndërkohë politologu, Deniz Memedi për gazetë Koha tha se koalicionet parazgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të ofrojnë një garë më të baraspeshuar në mes oponentëve politik, sidomos te blloku politik shqiptar. “Vota do të koncentrohet kryesisht në mes BDI-së dhe koalicionit Aleanca-Alternativa. Dhe nw këtë drejtim ekziston mundësia e madhe që të rritet numri i deputetëve shqiptar në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare. Për sa i përket koalicionit tjetër, gjegjësisht LSDM – Lëvizja BESA paraqet një momentum të ri në skenën politike të Maqedonisë së Veriut. Për herë të parë kemi një koalicion parazgjedhor parlamentar mes partive maqedonase dhe ato shqiptare”, shprehet Memedi. Sipas tij, ky koalicion në prizmin e real politikës do t`i ofrojë përfitime të dyja palëve. Memedi përfundon duke thëne se LSDM do të rritë numrin e votave karshi VMRO-DPMNE-së dhe do të përafrohen me numër të deputetëve, ndërsa Lëvizja Besa do të merr deputet më shumë, në krahasim me sa do të merrte po të garonte e vetme. Sipas sondazheve dhe të dhënave deri më tani në këto zgjedhje pritet një betejë e ashpër politike mes BDI-së dhe koalicionit ASH dhe Alternativa. Në fund mbetet të cekët se, për shkak interesave të ngushta partiake dhe përpjekja për mbijetesë në skenën politike, identiteti politik i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, është i rrezikuar nëse vazhdohet avazi dhe praktika e koalicioneve parazgjedhore mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, si në zgjedhjet lokale dhe në ato nacionale. (koha.mk)

Advertisements