Nëse Ciprasi e shpëtoi Greqinë, ose të paktën e menaxhoi me sukses problemin e borxheve, “Ciprasi” i ardhshëm i Kosovës duhet ta shpëtojë vendin nga falimenti politik që e sollën dy vija politike brenda një koalicioni…
Nga Daut DAUTI
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të jenë interesante. Jo vetëm zgjedhjet, por dhe “parazgjedhjet” dhe “paszgjedhjet”, si prolog dhe epilog. Konteksti kohor, rrethanat sfiduese nga çdo aspekt, rrisin kureshtjen e qytetarëve, se diçka “ndryshe” do të ndodhë me rezultatin dhe qeverisjen.
KONTEKSTET POLITIKE
Është e logjikshme të pritet se vërtet do të ndodhë një rikonfugurim i skenës politike. Ajo që duket e sigurt është se janë të vogla gjasat për përsëritjen e koalicionit të tashëm, pasi totali i përkrahjes nga qytetarët, mund të mos jetë i maftueshëm. Pra, ndryshimi i një qeverisjeje, si për nga partitë që do ta krijojnë, si për nga mënyra e praktimit të qeverisë, janë gjëra të pritshme. Një qeveri ku ka të paktën dy politika të kundërshtuara mes veti, siç ishte në mandatin e kaluar, nuk duhet të përsëritet. Nuk mundet dy parti të merren vesh për bashkëqeverisje, e pastaj secila t’i mëshojë kavallit të vet. Ky fenomen aq i theksuar me dy politika shtetërore kundrejt një problemi madhor të Kosovës, siç janë raportet me Serbinë dhe mënyra e zgjidhjes së tij, krijoi jo pak huti te qytetarët, të cilët në fund e humbën edhe atë pak shpresë se e gjithë kjo bëhet “për shkaqe strategjike”, siç një herë e pat sqaruar disonancën me presidentin Thaçi vetë kryeministri Haradinaj(Nëse ka qenë kjo pjesë e strategjisë, strategjia nuk zbulohet para “kundërshtarit”, apo jo?). Vërtet një qasje jo serioze. Konfuzioni për idenë e “përkufizimit” Thaçit e Vuçiqit, ishte njësoj i madh edhe për atë të “taksës” së Haradinajt, sepse për to shpesh nuk dihej kush e përkrah, kush e kundërshton, e kur gjitha kundërshtimet vinin jo aq për interesat e Kosovës, sa për të përfituar politikisht në këto tema.
Për fat të keq, ose ndoshta dhe të mirë, këto tema do ta dominojnë fushatën e ardhshme zgjedhore, në situatë kur proceset kanë stagnuar dukshëm, dhe nuk dihet cila politikë çfarë të mire i ka sjellë procesit. Dhe cila politikë është në harmoni me aleatët ndërkombëtarë, sepse shumëkush që i ndjek teoritë konspirative, pohon se gjithçka është me aminin e tyre. Ec e merre vesh.
Kosova vërtet tash ka një shans të mirë për të ndërruar diçka, për të provuar diçka të paprovuar. Në një koment të shkurtër ndaj një shkrimi, pata thënë se gjithçka është provuar, vetëm jo një qeveri me Lëvizjen Vetëvendosje. Më shumë se kurrë është e hapur kjo mundësi. Jo për shkak të LVV-së, sa për faktin që janë pjekur parakushtet për të. Jo se jam ndonjë ithtar i politikave dhe veprimeve të kësaj partie, përkundrazi kam qenë shumë kritik ndaj suljes së saj ndaj institucioneve të Kosovës, gjë që një parti shtetformuese nuk do të duhej ta bënte, prapë se prapë, them, nuk është keq që t’i jepet shansi kësaj partie. Deri tash, nuk ka qeveri të Kosovës që nuk e kanë kritikuar vetë ata që ia kanë dhënë votën, pra qytetarët. Ka një masë kritike e rreshtuar me Vetëvendosjen, e cila është e bindur tejmase se subjekti i tyre i preferuar nuk mund t’i përsëritë gabimet e partive tjera. Mirëpo, ajo vetë nuk mund të vijë në pushtet, kjo është e qartë, ndaj dhe shansi i vetëm është koalicioni me LDK-në e Isa Mustafës. Sikundër që edhe LDK-ja e ka të qartë këtë fakt për vete, se formula fitimtare është mbështetja te LVV-ja.
Pra, kështu ose ashtu, Kosova kërkon të paktën dy gjëra ndryshe. Një qeverisje ndryshe, e cila do të korrigjonte dy pozicionimet e gabuara dhe aventuriere të dy partnerëve të koalicionit të deritashëm qeveritar. Diçka ndryshe që do ta mbronte interesin kosovar dhe njëkohësisht nuk do ta shkiste nga agjenda gjeostrategjike e partnerëve ndërkombëtarë. E dyta tjetër ndryshe duhet të jenë vetë aktorët që s’do të jenë të njëjtët në qeverisjen e ardhshme.
KOMBINATORIKAT
Sa u përket aktorëve politikë, gjërat janë më të komplikuara në shikim të parë, por në të vërtetë, më të qartësuara e më të thjeshtësuara. Sepse, që nga koalicionimet e paralajmëruara parazgjedhore, shihet një largim i PDK-së me AAK-në, të cilat në anën tjetër, kompensimin e forcës së reduktuar të vetë do ta kompensojnë me koalicione me parti më të vogla. Tash për tash AAK-ja e Ramush Haradinajt është në përparësi veprimesh, sepse me vete e mori krahun e rebeluar anti-Albin-ist të LVV-së, tash si Parti Socialdemokrate, të Shpend Ahmetit. Popullariteti artificial i Haradinajt me “aktin burrëror”, siç e konsiderojnë, që të japë dorëheqje për të dalë si qytetar para Gjykatës Speciale, me një grupacion të fortë parlamentar të ish-LVV-së, i jep shanse për kombinatorikat paszgjedhore.
PDK-ja, nga të gjitha kombinimet parazgjedhore, duket të jetë më e vetmuara, pasi të pakta janë subjekte që do t’i ngjiteshin si satelitë, duke pasur parasysh disponimin negativ që ka nxitur “kauza e Hashimit” për korrigjimin e kufijve. Sepse edhe AKR-ja e biznesmenit Bexhet Pacoli, i cili është mësuar të jetë “tegu” në peshojën e kombinatorikave, gjeti një partner te partia e Nismës së Fatmir Limajt, që sadopak të rrisin elektoratin, sepse veçmas do të ishte i pamjaftueshëm për të qenë faktor vendimtar.
LDK-ja ndjehet ende pala e mashtruar nga koalicioni i mëhershëm me PDK-në, kur kjo e dyta e prishi koalicionin për t’ia adresuar disa dështime Isa Mustafës(demarkacionin me Malin e Zi…), sikur vetë të mos ishte pjesë e të njëjtës qeveri. Prandaj koalicionit eventual me partinë e Kadri Veselit i ka vënë një “X” të madh dhe PDK-ja hyn me hendikepin e shanseve minimale për koalicionim jo parazgjedhor, por as pazgjedhur. Është e pritur që nga partitë e mëdha, vetëm te PDK-ja mund të ketë rënie serioze, që përballë një disponimi të përgjithshëm, që është normal pas qeverisjes së gjatë, edhe të kalojë në opozitë.
NË KËRKIM TË NJË LIDERI QË KTHEN SHPRESËN
Çështja e tretë dhe ndoshta më interesante do të jetë zgjedhja e një lideri të ri të ekzekutivit të ardhshëm. Nëse ka ardhur koha për ndryshime në strukturën dhe mënyrën e praktikumit të pushtetit, për këtë logjikshëm nevojiten figura të reja. Partitë tjera e kanë vështirë të nxjerrin të tilla, porse dy figura që tash imponohen, mund të jenë ata te të cilët elektorati mund të shpresojë se sjellin qeverisje ndryshe, pa korrupsion e dukuri tjera që i ka Nëse Ciprasi e shpëtoi Greqinë, ose të paktën e menaxhoi me sukses problemin e borxheve, Ciprasi i ardhshëm i Kosovës duhet ta shpëtojë Kosovën nga falimenti politik që e sollën dy vija politike brenda një koalicioni: Albin Kurti, lideri i LVV-së dhe Vjosa Osmani, e zgjedhura e Isa Mustafës nga LDK-ja. E mira e të dyve është se ata janë në kombinim për koalicionim, qoftë parazgjedhor, qoftë pas zgjedhor, ndaj është çështje teknike se kush do të imponohet. Plus që nuk i kanë hipotekat që i kanë konkurrentët e tyre nga partitë tjera.
Kur jemi te këto dy figura, është edhe çështja e imazhit të njerëzve të rinj, që më duket se do të ishte analoge me situatën e para disa vitesh në Greqi, kur shteti u gjet në një kollaps(falimentim) me qindra miliardë borxh, dhe zgjedhësit te Ciprasi i ri gjetën aventurierin politik i cili do t’u bënte ballë sfidave. Kur sivjet i humbi zgjedhjet pas dy mandateve, rrahu gjoks se e le një shtet të konsoliduar. Ciprasi me ideologji ishte majtist, dhe në këtë analogji, Kosovës do t’i përshtatej një majtist paçka se ngapak anarkist, si Albin Kurti. Energjia e pashtershme dhe përvoja politike është në anën e tij, kundrejt Vjosa Osmanit elokuente. Por, përparësia e Vjosës në këtë krahasim do të ishte përvoja politike e subjektit të parë pluralist të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, për të cilin janë të lidhur edhe faktikisht edhe me nostalgji, një pjesë e madhe e qytetarëve e sidomos e elitës politike. Në anën e Albinit janë pjesa më gjaknxehtë e elektoratit, rinia, e cila te lideri i Vetëvendosjes sheh shpresën se për ta mund të ndryshojnë rrethanat në të mirë vetëm me një politikan energjik e populist si Albini.
Hendikepi i të dyve do të jetë përballja me insistimet e faktorit ndërkombëtar, që nuk duken përherë parimore, stagnimi në procesin e njohjeve ndërkombëtare si dhe mos rrumbullakimi i pavarësisë në kuadër të OKB-së. Në këtë kontekst, duhet dëshmuar se kooperativiteti i Serbisë së Vuçiqit është një pluhur demagogjik, duke dëshmuar se palën kooperuese dhe konstruktive është në Prishtinë. Nëse Ciprasi e shpëtoi Greqinë, ose të paktën e menaxhoi me sukses problemin e borxheve, “Ciprasi” i ardhshëm i Kosovës duhet ta shpëtojë Kosovën nga falimenti politik që e sollën dy vija të kundërshtuara politike brenda koalicionit të deritashëm, nëse kryetarin Hashim Thaçi do ta konsideronim pjesë të PDK-së, që faktikisht është.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)