Zejnulla VESELI
Shkup, 15 janar – Prej një janarit të vitit 2019, pritet që në Maqedoni të ndryshojë modeli i pagesës së tatimit për qytetarët me të ardhura më të larta. Modelet pritet të debatohen gjatë tërë vitit 2018 me të gjithë palët e prekura si dhe odat ekonomike, shkruan gazeta KOHA. Jozyrtarisht kuptohet se shqyrtohen opsionet që me 18 për qind të tatimohet ajo pjesë e të ardhurave që e tejkalon shumën prej 60 mijë denarë, ndërsa mundësia tjetër është që të praktikohet që gjatë aplikimit të tatimit më të drejtë sipas ekzekutivit të ri , që krahas të ardhurave prej 60 mijë denarë të shikohet edhe mënyra se si janë fituar të hollat. Pritet që si mundësi ligjore të ketë hapësirë edhe për punëtorët dhe punëdhënësit që të merren vesh ndërmjet tyre se cila palë do të paguajë dallimin tek tatimi progresiv.
Ndër qëllimet kryesore të korrigjimit të tatimit personal të të ardhurave sipas ekzekutivit të ri është edhe zbutja e një prej shkallëve më të larta të jobarazisë në të ardhura në Evropë që si dukuri është prezente në Maqedoni. Të hollat nga tatimet e rritura në vlerë prej së paku 30 milion euro të rreth 1200 qytetarëve apo 2 për qind e qytetarëve me të ardhura më të larta pritet të shkojnë për punësime të reja, arsim më cilësor ….
Nga Ministria e Financave thonë se e tërë procedura e miratimit të ndryshimeve ligjore do të jetë transparente , me pjesëmarrjen e plotë të opinionit , ndërsa do të lihet edhe kohë e mjaftueshme për të gjithë bizneset dhe profesionistët që të përgatiten dhe adaptohen ndaj rritjes së tatimit progresiv. Pritet që të gjitha ndryshimet ligjore të jenë gati deri në mesin e këtij viti.
Një pjesë e biznesit kanë kundërshtuar ndryshimet e tatimit me arsyetimin se ato të sjellin ikjen e trurit dhe profesionistëve të suksesshëm në sektorët si mjekësia apo Teknologjia informatike jashtë shtetit, ndërsa mund të pritet edhe rritje e evazionit fiskal apo fshehjes së tatimit. Nga Shoqata e menaxherëve të Maqedonisë, janë shprehur kundër ndryshimeve të paralajmëruara të tatimit personal . ” Ne si komunitet biznesi angazhohemi që shuma mbi të cilën do të kalohet ndaj tatimit progresiv të mos jetë më e vogël se 200 mijë denarë. Gjithashtu tatimi progesiv paraqet “tatim në luks”, edhe pse të ardhurat prej 60 mijë denarë nuk janë luks. Ne rekomandojmë edhe që të ulet tatimi për firmat në vendet rurale dhe vendbanimet e vogla” thonë nga Shoqata e Menaxherëve të Maqedonisë.
Në ndërkohë , ekspertët ekonomik vlerësojnë se tani nuk është koha për vendosjen e shkallës më të lartë të tatimit për shkak se ekzistojnë persona dhe kompani që do të kenë humbje nga pagesa më e lartë e tatimeve në të ardhura.
” Tërë kohën në Maqedoni flitet për problemet me ikjen e trurit që jashtë paguhet më shumë , për mos-respektimin sa duhet të njerëzve që kanë arsim më të lartë dhe shkathtësi që duhet të vlerësohen më shumë në tregun e punës , për rritjen e pagës minimale që do të rrisë edhe pagën mesatare ndërsa nga ana tjetër kemi një kundërshti kësaj, për shkak se flasim për rritjen e tatimit në paga për profesionistët e fushave të ndryshme që pritet ti mbajmë në Maqedoni që të kontribuojnë më shumë për shoqërinë në përgjithësi. Andaj vlerësoj se në këto kushte socio-ekonomike që gjendet Maqedonia një rritje e tillë e tatimeve paraqet një hap të përshpejtuar ” thotë analisti ekonomik Fatmir Bytyqi. Sipas tij, problem tjetër që shtrohet nga rritja e tatimit në të ardhura për ato që paguhen më shumë se 1000 euro ,është edhe fakti se sa rritja e tatimeve do të sjellë edhe shërbime më cilësore.
Në ndërkohë në shtetet e zhvilluara ekonomike vërehet edhe orientimi ndaj “sistemeve të dyfishta të tatimeve”. Tendenca e re bazohet në konceptin e “barazisë vertikale dhe horizontale” që do të thotë se kontribuuesit e tatimeve që kanë të njëjtin nivel të ardhurash tatimoren në të njëjtën mënyrë, gjegjësisht 2 apo 3 tatime të proporcionale për 2 apo 3 kategori të ardhurash.
Vendet skandinave aplikojnë tatime progresive për të ardhurat nga puna, ndërsa tatime proporcionale për të ardhurat nga kapitali. Vende të tjera kombinojnë tatimin proporcional të ulët për punën dhe konsumin me tatimin progresiv për kapitalin dhe pronën. Një grup tjetër vendesh vlerësojnë si variantin më të mirë rritjen e vlerës së tatimit progresiv në nivelet 20-25 për qind, duke e kombinuar këtë me dy masa të tjera: ngritjen e nivelit për aplikimin e këtij tatimi në mënyrë që të mos preken shtresat e varfra dhe bizneset e vogla familjare dhe uljen e TVSH. Por, nuk janë të pakta edhe ato vende që aplikojnë tatimin proporcional , të diferencuar në përqindje në raport me të ardhurat, kapitalin, fitimin, pronën dhe konsumin, etj. (koha.mk)