Planeti Afërditë ngjall interesin e shkencës. Pas zbulimit se në atmosferën e saj ka përmbajtje gazi fosfin që është një shenjë e prezencës së jetës, kreu i Nasës është shprehur në Twitter se tashmë është koha për t’i dhënë prioritet këtij planeti. Ndërkohë që është planifikuar tashmë një mision plotësisht i dedikuar për Afërditën, që do të niset në vitin 2023, dhe mban firmën e një kompanie private amerikane Rocket Lab.
Aktualisht sonda japoneze Akatsuki është e vetmja që orbiton në atmosferën e planetit, dhe është e dyta në 30 vitet e fundit që studion Afërditën. Ulja e fundit e një sonde atje është realizuar në vitet 80. Ndërsa pas rreth një muaji Sonda Bepi Colombo e Agjencisë Hapësinore Evropiane Esa do të kalojë pranë, në rrugën që po përshkon për të mbërritur në planetin Merkur.
Deri më sot misionet e agjencive hapësinore kanë qenë të fokusuara në eksplorimin e asteroidëve dhe planetëve të tjerë, kryesisht Marsit. Kjo është një ndër arsyet që misioni më I afërt I programuar për në Venus është pikërisht nga një kompani private. Megjithatë edhe NASA duket se së shpejti tashmë do të fokusohet në programimin e një misioni në këtë planet të panjohur.