Mbyllja e çerdhes në Dibër u shkaktoi shumë telashe familjeve që kanë fëmijë në moshën parashkollore dhe që prindërit e tyre janë kthyer në vendet e tyre të punës. Shumë familje dibrane janë duke kërkuar, por disa edhe kanë gjetur persona të cilët kujdesen për fëmijët e tyre
Vjollca SADIKU
Dibër, 3 gusht – Për shkak të pandemisë dhe mbylljes së shkollave, kopshteve dhe çerdheve, në shumë familje janë paraqitur problem me kujdesin e fëmijëve. Kjo dukuri sidomos është shumë aktuale tek prindërit e fëmijëve, të cilët janë angazhuar me punë. Dukuria në fjalë është prezent në Dibër dhe nga dita në ditë shqetësimet për kujdesin e fëmijëve po rriten. Rrugëdaljen për të tejkaluar këtë problem prindërit e drejtojnë nga sigurimi i dadove. Nga muaji mars i këtij viti kur u paraqitën rastet e para të pacientëve pozitiv me Kovid-19, u mbyllën edhe çerdhet, institucionet ku dërgoheshin fëmijët e moshave të ndryshme parashkollore dhe kur realizohej edukimi dhe përkujdesi për ata.
Çerdhja e Dibrës “Breshia” vazhdon edhe sot të mos funksionojë për shkak të vendimit qeveritar dhe të Ministrisë për Punë Sociale, ashtu siç nuk funksionojnë edhe çerdhet e tjera në vend. Drejtoresha e çerdhes, Ajrie Daçi, informon se në këtë çerdhe, deri para mbylljes së saj, ishin të pranishëm 360 fëmijë. Mbyllja e çerdhes në Dibër u shkaktoi shumë telashe familjeve që kanë fëmijë në moshën parashkollore dhe që prindërit e tyre janë kthyer në vendet e tyre të punës. Shumë familje dibrane janë duke kërkuar, por disa edhe kanë gjetur persona të cilët kujdesen për fëmijët e tyre. Me familjet me të cilët biseduam, thonë se në përkujdesin për fëmijët e tyre kanë gjetur vajza kryesisht të moshave të reja, por edhe gra të moshave të mesme. Ata janë të kënaqur nga përkujdesi dhe nga gratë e vajzat që janë të angazhuar, ndërsa kryesisht janë të afërm të tyre, fqinj, dhe persona të cilët ata i njohin. Pagesa mujore për këta persona sillet nga 100 deri më 150 euro duke përfshirë edhe ushqimin ditor për dadot. Në “vrap” pas dadove janë edhe familje të tjera dibrane, kryesisht ata kërkojnë persona të cilët i njohin mirë.
Përveç dadove për fëmijët, të cilët tani më nuk janë në çerdhe, përkujdesen edhe anëtarët e familjeve. Bëhet fjalë për një kategori tjetër të familjeve, të cilët për fëmijët angazhojnë anëtarë të tyre të cilët aktualisht nuk janë në punë. Duke marr parasysh se punëtorët e angazhuar në arsim, por edhe në sferat e tjera tani më janë duke “pushuar” disa muaj me radhë, ata marrin përsipër përkujdesjen për fëmijët, të cilët nuk kanë mundësi të vijojnë çerdhen e Dibrës. Në institucionin parashkollor “Breshia” na thonë se, edhe pse fëmijët tanimë kanë përkujdesje në familje, ndërprerja e angazhimit të tyre në aspektin edukativ në çerdhe do të sjell ndoshta në nivel minimal ndryshime në vet edukimin e fëmijës. (koha.mk)