Shkup, 29 prill – Brenda harkut një vjeçar të veprimit shoqata Etnoalb arriti të organizojë konferencën e parë shkencore në temën “Etnokultura e trevës së Kërçovës” ndërsa nga kumtesat e prezentuara u botua revista e parë shkencore për folklor dhe etnologji “Etnoalb” që promovohet sot me mbështetjen e kryetarit të Kërçovës Fatmir Dehari, tha në fjalën e saj kryetarja e shoqatës Etnoalb Bukurije Mustafa, e cila me këtë rast i falenderoi të gjithë autorët që u bënë pjesë e këtij libri mjaft përbajtësor që reflekton vlerat e trashëgimisë etnokulturore të trevës së Kërçovës.
Ndërkaq kryeredaktori i revistës Prof. Dr. Zeqirja Neziri potencoi se shoqata Etnoalb përmes ksaj veprimtarie synon të hulumtojë, eksplorojë, regjistrojë e sistemojë dhe pastaj ti studiojë e ti botojë vlerat etnokulturore në të gjitha trevat shqiptare. E përzgjodhëm Kërçovën sepse gërshetimi i këtyre tipareve ndeshet pikërisht në Kërçovë që dëshmohet edhe me punimet e këtij libri në të cilin autorët sjellin dallimet në zonat etnokulturore të Zajazit dhe Osllomesë.
Për punimet e prezentuara në këtë revistë folën edhe lektori Nazif Selimi dhe njohësi i folklorit Osman Adili të cilët u shprehën mirënjohje të gjithë studijuesve për kontributin e tyre madhor në pasqyrimin e vlerave etnokulturore të Kërçovës dhe të gjithë atyre që e mbështetën këtë projekt të rëndësishëm ku përfshihen 20 studime të fushave të ndryshme të dijes që kapin një sasi prej 192 faqesh.