Sipas banorëve, nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh, atëherë protestat do të mbahen çdo javë, dhe nëse ka nevojë – edhe më shpesh. Në ndërkohë, protestë në Tetovë kanë paralajmëruar edhe studentët
Urim HASIPI
Tetovë, 16 dhjetor – Qindra banorë të fshatit Përshefcë të Komunës së Tearcës kanë mbajtur një protestë dielën kundër dy bastoreve që ndodhen në këtë fshat. “Shprehim pakënaqësinë tonë kundër dy bastoreve që ndodhen përpara shkollës sonë, bashkësisë lokale dhe xhamisë, lokacione këto më shumë të frekentuara nga të gjithë ne, posaçërisht nga fëmijët tanë. Jemi të vetëdijshëm se Ligji ua mundëson këtë, por ne si banorë të këtyre anëve jemi kundër këtij ligji që u mundëson atyre. Nuk ekziston asnjë Ligj në botë që u mundëson veprimtarive të këtilla të jenë aq afër objekteve fetare dhe shkollore. Po ashtu, dua të theksoj se ekziston një Ligj që nuk është i shkruar, por është Ligji i moralit dhe ndërgjegjes që më shumë vlen për pronarët e lokaleve. Ne nuk jemi këtu për të kërcënuar askënd, por jemi thjesht për të shprehur revoltën tonë dhe për të kërkuar që këta objekte të jenë sa më larg syve të fëmijëve tanë”, u tha në këtë protestë nga ana e organizatorëve.
Sipas banorëve, nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh, atëherë protestat do të mbahen çdo javë, dhe nëse ka nevojë – edhe më shpesh. Protestat u organizuan nga kryesia e Bashkësisë Lokale, Këshilli i xhamisë, drejtoria e shkollës fillore “Asdreni”, kryesia e Shoqatës “Përshefca që duam” dhe përfaqësues të nëndegëve të partive politike. Protestës i janë bashkangjitur edhe banorë të fshatrave përreth Komunës së Tearcës, ku ekzistojnë një numër i madh i bastoreve. Në fshatrat e Tearcës, deri më tani bastore nuk janë hapur, apo janë mbyllur pas presionit të banorëve në fshatrat Sllatinë, Odër dhe Dobrosht. Përkrahje protestës në fshatin Përshefcë i dha edhe Lëvizja Antibixhoz, organizatore e protestave në Tetovë.
Ndërkaq, Lëvizja Antibixhoz ka bërë të ditur se ditën e premte, në sheshin e Tetovës, në ora 13.30 do të protestohet me qëllim që një herë e përgjithmonë t’iu thuhet “Stop “ kazinove dhe bastoreve. Nga kjo lëvizje nënvizojnë se betejën e tyre kundër bixhozit dhe dislokimit të objekteve të lojërave të fatit jashtë qytetit do të ta çojnë deri në fund, deri në sjelljen e një Ligji që do të jetë në interes të qytetarëve. Nga kjo Lëvizje ju bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve, subjekteve politike shqiptare, sektorit civil…, që sa më masovikisht të mbështesin këtë protestë kundër këtij, siç thuhet, kanceri të shoqërisë siç është bixhozi.
Xhemal Abdiu kërkoi nga anëtarët e Komisionit për Financim dhe Buxhet të tregohen të kujdesshëm gjatë votimit të Ligjit për kazinotë, sepse siç theksoi, i njëjti është në dëm të interesave të qytetarëve. “I bëjmë thirrje pushtetit, faktikisht politikës e në veçanti deputetëve, të cilët janë anëtarë në Komisionin parlamentar për Financim dhe Buxhet, të jenë të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm në votimin e ligjit, dhe në të njëjtën kohë ne kërkojmë debat publik dhe jua bëjmë me dije se nuk do të pranojmë asnjë Ligj, i cili është në kundërshtim me kërkesat e Lëvizjes Antibixhoz, ligj që do të jetë në dëm të interesave të popullatës”, tha Abdiu. (koha.mk)