Në këtë shkrim, nuk bëmë “Gjyqin e Sokratit!”…, ne duam të themi se nuk ka njeri që do të na pengojë të jemi dyshues ndaj sinqeritetit të politikanëve të Tiranës! Hej, miku im i dashur! Mos harro, edhe unë kam kërthizë, andaj jam mëkatar, por ama jo edhe hileqar!
Nga Fadil LUSHI
Të dashur lexues të paanshëm! Nëse mendoni se shkrimi im i radhës është i ndërtuar me gjuhë të denigruar, nëse konstatoni se vështrimit i mungojnë provat bindëse, atëherë besoj se do keni të drejtë të më bëni me faj. Bëjeni dhe mos përtoni! Para se ta ftilloj “shkarravinën” në vijim, më duhet që nga specialistët e teologjisë të kërkoj ndjesë…, nëse “padrejtësisht fus hundët” në fushëveprimin e punës së tyre. Për këtë dhe arsye të tjera, do t’u referohem ca mendimeve të tyre që thonë:“Perëndia krijoi tokën, botën bimore, shtazore dhe njerëzore me në krye Ademin a.s dhe Havën a.s. Ditën në të cilën Ademi a.s. nuk iu bind Perëndisë, u bë mëkatar. Kështu, si rezultat i mëkatit të Ademit a.s. të gjithë pasardhësit e tij janë mëkatarë. Pra, që atëherë mëkati trashëgohet dhe çdo njeri sot lind mëkatar!” Thonë se që të dy këta njerëz nuk kishin kërthizë!
Ne shqiptarët nga Kosova e nga Maqedonia dhe trojet e tjera kemi kërthizë, edhe ne jemi paksa mëkatarë, por ama jo edhe aq hileqarë sa politikanët nga shteti amë. Ne këtejpari, për shumë vjet qemë të detyruar të kopjojnë apo të riprodhojnë çdo gjë që ndodhte në Shqipëri! Për plot…, nuk e disa e sa vjet, qemë të detyruar që shkaut tonë t’i “themi dajë”…, për shumë mote qemë të detyruar të imitojmë fjalët e Tiranës e të tjera imitime… plot pesë dekada, ne shqiptarët këtej gardhit me ferra, duke mos “pasur nënën”, qemë të detyruar të veprojmë pikë për pikë njësoj si shqiptarët e Shqipërisë, ne shqiptarët, që frymojmë këtej thurimës me purteka, për plot shtatëdhjetë e katër mote “sabah e aksham” qemë të shtrënguar ta ndërtojmë dhe ta ushqejmë inferioritetin tonë(të imponuar!?)…, për plot pesë dekada e më shumë qemë të detyruar të sillemi keq e me mospërfillje ndaj të drejtës sonë për të menduar ndryshe. Për shumë dekada nuk u përfillëm nga politika zyrtare e Tiranës, për shumë dekada nuk u përfill vullneti i shqiptarëve këtej pari për bashkimin e trojeve…,një periudhë të caktuar qemë të detyruar të mbyllim sytë e gojën, qemë të shtrënguar ta nëpërkëmbim inteligjencën, dinjitetin dhe krenarinë tonë për hir dhe për hatër të diktatorit, për hir të pordhave të disa matrapazëve politikë a tyxharë lëkurësh…, ne të gjithë shqiptarët që jetojmë këtej gardhit për shumë vjet e kënduam me tamam dhe me shumë arsye Kushtetutën e Shqipërisë(PJESA E PARË-PARIME THEMELORE), në veçanti Nenin 8, ku, pos të tjerash, thuhet: “1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”(nëse ndërkohë ky nen nuk është fshirë!?). Edhe përtej zhgënjimit tonë, ne edhe sot duam t’i besojmë autenticitetit të nenit të sipërpërmendur!? Nëse ne e kemi kënduar gabimisht këtë nen, atëherë ju, që e ndërtuat këtë pjesë të Kushtetutës suaj, ju lusim të na thoni a mos e kemi të lajthitur mendimin!? Ju vëllezërit tanë nga një nënë, ju lusim na e thoni të vërtetën, a mos vallë ju edhe sot vazhdoni të shtireni a edhe ta paraqisni veten krejt ndryshe se ç’jeni, a mos vallë neni 8 është vetëm një paravan…, a mos vallë ju, politikanë të Tiranës, vërtet e doni bashkimin e trojeve apo ndoshta “përnjëmend” shtireni a hiqeni sikur nuk e doni këtë bashkim…, apo ne që jetojmë këtej gardhit me ferra e tela bëjmë ëndrrën me sy hapur…, a mos vallë, ju andej që keni detin, Flamurin, Himnin, Kushtetutën e të tjera.., nuk dini gjë për brengat tona…, a mos vallë nuk shihni e nuk dëgjoni se ç’ndodh këtejpari te ne…Po, tekefundit, asnjeri nuk ju shtrëngon të shtireni as si të marrë, as si të sëmurë mendërisht a edhe politikisht!? Ju, vëllezër nga një nënë, besoni se “kohën tonë të harxhuar së koti” ndoshta në një të ardhme të afërt do të na e ktheni! Pranoni se edhe ju keni kërthizën dhe mëkatarinë, nëse jo para nesh dhe për ne, atëherë bëjeni për hir të Perëndisë dhe besimit tuaj në fe, nëse e keni…dhe, së fundi, nëse ju mungon, atëherë kjo le të mbetet në të drejtën tuaj se ç’përcaktim a përzgjedhje do të bëni! Ju, vëllezër nga një nënë, kini parasysh se dashuria jonë për Shqipërinë nuk ishte dhe nuk është e rreme…,ajo është e çiltër,po edhe e zjarrtë! Asnjëherë nuk e bëmë me të shtirur…, e bëmë dhe do ta bëjmë me zemër…,ani se ju nuk na besoni, ani se ju mund të na konceptoni a perceptoni si “as mish as peshk!?”
Ju, vëllezër nga një nënë, a mos vallë do të vazhdoni të na e bëni “Gjyqin e Sokratit”(ani se ne nuk e kemi mendjen brilante të tij) njësoj siç e bënë analistët Henri Çili, Alban Dudushi (dhe shumë të tjerë të tillë si ata), të cilët disa ditë më parë, në emisionin “OPEN” të televizionit kombëtar“Top Channel”me pyetjet e tyre me “spec”, sikur donin që Albinit t’ia bënin atë“Gjyqin e…,”, sikur në hapësirat e televizioni kishin degdisë me furgonin e ngarkuar me hundë e buzë, me mllefe dhe urrejtje të tërbuara, sikur kishin degdisur atypari që t’i mbanin leksione patriotike, leksione për politikëbërjen aktuale në Kosovë, leksione nga gjeografia ekonomike, politike dhe historike e Kosovës, sikur donin që sa më larg ta kenë Albinin dhe më afër Akademinë famëkeqe të Shkencave dhe Arteve të Serbisë,sikur donin që para hundës së tyre ta kenë Beogradin e Pashiqit, Çubrilloviqit, Sllobodanit dhe Vuçiqit,sikur e donin ta shihnin të gjallë surratin e…,sikur nuk donin të dëgjonin hiç gjë për Morinën, për Raçakun, për Kosharen, për Drenicën, për Rugovën, për familjen e Jasharajve, për Ukshinin, për Prishtinën, për profesorin tim, Aganin, për UÇK-në dhe për gjithë Kosovën e kosovarëve…, sikur donin të thonë se në Kosovë hiç gjë nuk kishte ndodhur, sikur donin që Albinit t’i bënin pordhën, sikur nuk donin t’u besonin fjalëve të Albinit se eshtrat e 744 shqiptarëve u zbuluan në vitin 2001 në Batajnicë…, sikur nuk donin t’u besonin fjalëve të Kurtit se në luftën e Kosovës u vranë mbi një mijë fëmijë të pafajshëm…, se u dhunuan mijëra gra e goca, se u vranë mijëra civilë, se u dëbuan mbi një milion kosovarë! A mos vallë, ti z. President i Shtetit, ti z. Kryetar i Qeverisë, ti z. Kryetar i Kuvendit, ti ministër i ngarkuar për punë botore,ju politikanë të Tiranës…, ju diplomatë nuk keni guximin të na thoni: “Ju vëllezër matanë gardhit! Na ndjeni karshi mëkateve dhe hileve tona me brirë!”
Ne në këtë shkrim, nuk bëmë “Gjyqin e Sokratit!”…, ne duam të themi se nuk ka njeri që do të na pengojë të jemi dyshues ndaj sinqeritetit të politikanëve të Tiranës! Hej, miku im i dashur! Mos harro, edhe unë kam kërthizë, andaj jam mëkatar, por ama jo edhe hileqar! (koha.mk)