Zejnulla VESELI
Shkup, 8 prill – Investitorët e huaj jo vetëm që nuk planifikojnë të marrin vendime të reja për të investuar në Maqedoni, por një numër i madh i tyre që tani më janë prezentë në Maqedoni, gjatë muajit janar të këtij viti, në kompanitë e tyre amë kanë transferuar 78,2 milionë euro, shkruan gazeta KOHA. Kështu tregojnë të dhënat e fundit zyrtare për muajin janar të viti 2017, publikuar nga Banka Popullore e Maqedonisë (BPM). Sipas këtij raporti të publikuar nga BPM, gjatë muajit janar të këtij viti investitorët e huaj shumë pak kanë investuar në kompanitë e tyre dhe investimet kanë arritur shifrën prej 44 milionë euro. Ndërkohë, në anën tjetër, në raportin e BPM-së thuhet se investitorët e huaj në Maqedoni, në muajin janar, në kontot e kompanive amë, kanë derdhur 78.2 milionë euro, duke krijuar kështu saldo negative prej 35,9 milionë euro të parave te transferuara kundrejt atyre të investuar në muajin janar. Tërheqja e parave të fituara nga ana e investitorëve të huaj prezent në Maqedoni, duke i transferuar në kontot e kompanive amë, për ekspertin ekonomik, Fatmir Bytyqi, është e pritur, aq më tepër kur kemi parasysh se Maqedonia gati katër vjet është në një krizë të rëndë politike dhe ekonomike dhe fundi i kësaj krize ende nuk shihet. “Tërheqja e parave dhe derdhja e tyre në kontot e kompanive amë nga edhe vijnë investitorët e huaj, është veprim i kujdesshëm për shkak të situatës së rëndë politike dhe ekonomike, në të cilën një kohë të gjatë gjendet Maqedonia. Nga viti 2012, investitorët e huaj vazhdimisht kanë derdhur një pjesë të fitimit në kontot e kompanive amë. Mirëpo, kjo që po ndodhë këto dy vitet e fundit, kur kemi një sasi shumë më të larta të parave të fituara nga investitorët e huaj të derdhën në konton e kompanive amë, është një farë paralajmërimi se investitorët e huaj jo vetëm që kanë frikë të vazhdojnë të ri-investojnë kapitalin e tyre në Maqedoni, por së shpejti mund të ndodhë që të ikin nga Maqedoni”, thotë Bytyqi.
Pikërisht tërheqja e kapitalit të kompanive të huaja drejt kompanive amë për Bytyqin është shqetësuese, për shkak se në sipërfaqe aspak nuk ka sinjale pozitive se kriza politike mund të zgjidhet edhe një kohë të gjatë. “Edhe pse shpesh kemi potencuar se investitorët e huaj që vijnë në Maqedoni, kërkojnë në radhë të parë stabilitet politik, lehtësime fiskale si dhe fuqi të lirë punuese. Meqë tani katër vitet e fundit kemi një situatë shumë të paqartë politike dhe fundi i kësaj krize ende nuk dihet, është më se e logjikshme që investitorët e huaj në Maqedoni jo vetëm që të përmbahen nga investimet e reja por edhe paratë e fituara t’i transferojnë në kontot e kompanive të tyre amë për shkak sigurie”, thotë Bytyqi.
Ndërkohë Petar Goshev, ish guvernator i BPM, thotë se investitorët e huaj edhe kur në Maqedoni kishte një farë sigurie politike, një pjesë e kapitalit të fituar, vazhdimisht e kanë derdhur në llogari të kompanive të tyre amë. “Investitorët e huaj nuk janë të interesuar të investojnë në Maqedoni për dy arsyet. e para për shkak të krizës së rëndë politike në të cilën Maqedonia gjende dhe e dyta, për shkak se disa nga këta kompani e kanë humbur të drejtën e subvencioneve që Qeveria e Maqedonisë ua jepte për hapjen e një vendi të punës”, thotë Goshev. Kjo që po ndodhë tani kur partitë politike në vend që të merren vesh se si vendin ta nxjerrin nga kriza politike, ato më veprimet e tyre edhe më shumë po kontribuojnë në thellimin e krizës politike, e cila sipas Goshevit, Maqedonisë po i sjell pasoja të rënda ekonomike. “Nëse para krizës kishim një sasi të vogël të parave të fituara kompanitë e huaja të derdhnin në llogarite e kompanive amë, tani katër vitet e fundit për shkak të pasigurisë në Maqedoni, pjesa më e madhe e investitorëve të huaj në Maqedoni 90 për qind e fitimit e derdhnin te kompanitë e tyre amë, ndërsa 10 për qind e fitimit i paguajnë rrogat e punëtorëve. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e investitorëve të huaja kapitalin i fituar në Maqedoni e transferojnë te kompanitë amë, ndërsa pjesën më të vogël e shpërndajnë për “rrogat e mjera” në vlerë prej 11 mijë sa paguajnë një të punësuar”, thotë Petar Goshev, ish guvernator i Bankës Popullore të Maqedonisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara