Tiranë, 22 mars – Policia italiane ka shpërbërë një bandë trafikantësh, që dërgonte drogë nga Shqipëria në Itali përmes Detit Adriatik.
Gjithsej 16 persona u arrestuan në vazhdën e hetimeve që provuan se kishte pasur disa dërgesa lëndësh narkotike në Itali dhe në Zvicër.
Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 440 kilogramë marihuanë, 10 kilogramë heroinë e 200 kilogramë substanca të tjera të përdorura për shtimin e heroinës, duke simuluar disa karakteristika të saj.
Banda vepronte në zonën mes Komos dhe Milanos. Personat nën hetim janë të gjithë shqiptarë. Ata përdornin një mënyrë të koduar komunikimi dhe sisteme të sofistikuara për të fshehur trafikun.
Në kuadër të të njëjtit operacion, Policia italiane është duke zhvilluar kontrolle jo vetëm në provincat e Komos dhe Milanos, por edhe në Gjenova dhe Lluka.