Romë, 21 janar – Policia italiane sot arrestoi 50 persona dhe ngriti hetim kundër politikanit të shquar Lorenco Xheze, në kuadër të aksionit kundër organizatës kriminale, Ndrangeta.
“Hetimi qartë e zbulon atë që e flasim me dekada. Ndrangeta më pak përdor armë, por ka gjithnjë e më shumë lidhje me biznesin dhe politikën”, deklaroi prokurori Nikolla Grateri, i cili javën e kaluar e filloi një nga gjykimet më të mëdha në Itali.
Në mesin e atyre që janë nën hetim është edhe Lorenco Xheza, lider i partisë së vogël Unioni i Demokristianëve dhe Qendrës (UDC), i cili javën e kaluar e tërhoqi vëmendjen mediatike pasi e refuzoi ofertën e kryeministrit Xhuzepe Konte që të përfshihet në koalicionin qeverisës, i cili e humbi shumicën absolute në Parlament.
Grateri theksoi se Xheza është i dyshuar se ka ofruar kontrata biznesi për Ndrangeta në shkëmbim të shërbimeve.
Zheza, i cili në Parlamentin Evropian e përfaqëson Italinë jugore, i hodhi poshtë akuzat, por tha se do të japë dorëheqje nga funksioni i kryetarit të partisë.
Policia në Kalabri njoftoi se gjatë këtij aksioni ka kryer më shumë se 250.000 përgjime të telefonave dhe incizimeve të fshehta të cilat kanë ndihmuar që të tregohet se pjesëtarët e Ndrangeta kanë përdorur më shumë kompani udhëheqëse për pastrim të parave dhe hapjen e llogarive të rreme për mashtrime tatimore.
Në gjykimin, i cili filloi javën e kaluar, në bankën e të akuzuarve u gjendën 355 pjesëtarë të dyshuar të organizatës kriminale dhe ndihmës së tyre nga bota e biznesit dhe politikës.