Në Itali arrestohet një shqiptar me 35 kilogram kokainë

Policia italiane në Bolonja arrestoi një 29 vjeçar shqiptar pasi u kap me 35 kilogram kokainë. “Shqiptari i arrestuar është Asllan Luka, i cili po transportonte drogën me një makinë tip “Jeep Grand Cherokee”. Kokaina e sekuestruar nëse do të hidhej në treg kapte vlerën e 3.5 milionë euro, shkruan portali “Albeu” duke iu referuar mediave italiane. Shqiptari u kap gjatë një kontrolli rutinë të policisë, por ishte pikërisht sjellja nervoze e shqiptarit që çoi në një kontroll më të imtësishëm nga ana e efektivëve të policisë, me ndihmën edhe të qenve anti-drogë. Makina u çua në një ofiçinë, ku pas disa orë kontrollesh u gjet edhe droga e fshehur. Asllan Luka, rezulton banues në Romë, me leje qëndrimi në shtetin italian të skaduar që në prill të 2015-ës, ndërkohë që praktika për rinovimin e ‘letrave’ është në vazhdim. Makina tip “Jeep” rezultoi se ishte në emër të një gruaje rumune, me banim në Milano. Luka është person me precedent të mëparshëm penal për shpërndarje droge.