Presidenti Saputo ka thënë se Xhemaili është i gatshëm të nisë karrierën si lojtar i Montrealit që nga vera e këtij viti, përcjell Koha Ditore. “Unë nuk po e fsheh Xhemailin. Kontrata e Xhemailit është shumëvjeçare. Ai te Bologna do të luajë deri në qershor të këtij viti dhe më pas do të transferohet në Montreal. Ai është i gatshëm të vijë në Montreal”, ka thënë Saputo. Saputo është edhe president i skuadrës së Serie A, Bologna, ku aktualisht është duke luajtur Xhemaili. Drejtori teknik i Impact Real, Adam Braz, ka thënë se Xhemaili nuk është i panjohur në Evropë dhe botë. “Ai është një lojtar i nivelit ndërkombëtar me shumë përvojë mbi supet e tij. Ka luajtur në nivelin më të lartë të futbollit. Ai do të sjellë frymë të re në ekip, jo vetëm në fushë, por edhe në dhomat e zhveshjes. Ka përvojën e duhur”, ka thënë Braz. Xhemaili 30-vjeçar këtë edicion me Bolognan ka shënuar dy gola dhe ka kontribuar me një asistim në 16 paraqitje. Karrierë ka bërë në disa skuadra në Zvicër, Angli, Turqi dhe Itali.