Valentina STIJANÇEVSKA, PRIZMA
Shkup, 13 mars – Një i dënuar në burgun e Kumanovës për pak do kishte mbetur pa këmbë, pas një qëndrimi disa ditësh me këmbë të thyer në qeli, pa u kontrolluar nga mjeku. Megjithëse ka pasur dhimbje, atij i është dashur të pres mjekun të kthehet në punë sepse ai nuk ka ardhur përditë në punë. Mjeku i burgut pas kontrollit ka konstatuar ënjtje, si rezultat të një frakture – e ka udhëzuar të burgosurin për mjekim në spital. Megjithëse ishte dashur të dërgohet me urgjencë në spital, mjekët i kanë thënë të burgosurit se duhet të pres edhe disa ditë, sepse të gjitha automjetet e burgut kanë qenë të zëna. Si rezultat të dhimbjeve të forta, i dënuari me inicialet I.M. ka vendosur të kërkojë ndihmën e Avokatit të Popullit, zyra e të cilit ka intervenuar që i burgosuri të dërgohet në spital. Pas këtij intervenimi, me automjetin e parë që u lirua, i dënuari u dërgua në spital, ku për shkak të frakturës mjekët i vendosën allçi (gjips). Në fund, këmba e këtij të burgosuri shpëtoi, por parashtrohet pyetja sa të dënuar të tjerë kanë mbetur qelive të burgjeve dhe nuk kanë mundur të shkojnë në spital sepse nuk kanë mundur të kontaktojnë me Avokatin e Popullit? Me këtë rast ne vendosëm të zbulojmë sa të burgosur dhe të paraburgosur në nivel vjetor vdesin pas kangjellave dhe si është mbrojtja shëndetësore e të dënuarve?
Administrata me shifra të ndryshme për të vdekurit
Në burgun e Idrizovës krevatet e prishur janë luks, sepse shumë të burgosur flenë në dysheme. Në Drejtorinë e ekzekutimit të sanksioneve thonë se kanë të dhëna për periudhën e viteve 2008-2016, sipas të cilave gjatë periudhës në fjalë kanë vdekur 71 persona. Me këtë shifër nuk janë përfshirë rastet e fundit, siç ishte ai i fundjavës së kaluar, kur rrugës për në spital ndërroi jetë një tjetër i burgosur. Në vitin 2008 kanë vdekur tetë persona. Shtatë prej tyre kishin vdekje natyrale, ndërsa i teti u vetëvra. Në vitin 2009 u regjistruan dy vetëvrasje, ndërsa në vitin 2010 u regjistruan nëntë të vdekur ose tre vetëvrasje dhe gjashtë vdekje natyrale. Në vitin 2011 u evidentuan 10 të vdekur, nëntë vdekje natyrale dhe një vetëvrasje. Dy viteve në vazhdim, 2012 dhe 2013, burgjeve u regjistruan 18 vdekje ose nga nëntë vdekje në vit. Me përjashtim të një rasti kur një i burgosur u vetëvra, të dënuarit e tjerë patën vdekje natyrale. Në vitin 2014 u regjistruan 10 të vdekur, që të gjithë me vdekje natyrale,ndërsa 2015-a u mbyll me 11 vdekje. Të njëjtin vit dy të burgosur u vetëvranë, ndërsa të tjerët patën vdekje natyrale. Sivjet burgjeve janë regjistruar tre vdekje. Asnjëri nga të dënuarit nuk ka humbur jetën si rezultat të torturës së ushtruar nga punonjësit e burgjeve, rrahjeve me të dënuarit e tjerë ose trajtimit joadekuat ose të vonuar mjekësor, por të gjithë ato kanë pasur “vdekje natyrale”, megjithëse një pjesë e të dënuarve kanë qenë të moshës 20-30 vjeçe. Një pjesë e tyre kanë gjetur vdekjen me vetëvrasje. Megjithatë, krahasimi i të dhënave lidhur me numrin e të vdekurve dhe atyre që janë publikuar me raportet vjetore të Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve hap dilema të reja dhe shkakton dyshime. Megjithëse përgjigjet dhe raportet që i fituam janë të një institucioni dhe mbajnë firmën e drejtores Lidija Gavrillovska, të njëjtat nuk përputhen në aspektin e numrit të të vdekurve dhe arsyeve të vdekjes. Sipas raporteve, krahas vdekjeve natyrale dhe vetëvrasjeve, paraqitet një kategori e re – e quajtur “fatkeqësi”. Po sipas këtyre të dhënave, që janë publikuar në ueb faqen e Ministrisë së drejtësisë, në vitin 2014 kanë vdekur 13 të burgosur, 12 nga të cilët kanë pasur vdekje natyrale, ndërsa i dënuari tjetër humbi jetën gjatë një fatkeqësie. Ndërkaq, sipas përgjigjes që morëm ne, të njëjtin vit u evidentuan 10 vdekje. Shifrat nuk përputhen as për vitin 2013 sepse sipas të dhënave të raportit kanë vdekur gjithsej 12 të dënuar, 7 nga të cilët anë pasur vdekje natyrale, tre humbën jetën gjatë fatkeqësive të ndryshme, ndërsa dy të dënuar u vetëvranë. Sipas përgjigjes që morëm ne, të njëjtin vit u evidentuan vetëm nëntë vdekje. Sipas raportit të vitit 2012, të njëjtin vit kanë vdekur vetëm tetë të dënuar, gjashtë nga të cilët patën vdekje natyrale, njëri gjeti vdekjen gjatë një fatkeqësie, ndërsa i teti u vetëvra. Sipas përgjigjes që morëm ne, të njëjtin vit u evidentuan nëntë vdekje!? Ndërkaq, në raportet e tjera vjetore, për arsye të panjohura, Drejtoria e ekzekutimit të sanksioneve nuk ka shënuar numrin e të dënuarve që kanë vdekur në burg. Loja me numrin e të dënuarve të vdekur shkakton dyshime lidhur besueshmërinë e të dhënave. Në këtë kontekst parashtrohet pyetja si është e mundur një institucion të dalë me të dhëna të ndryshme, që duhet të jenë zyrtare dhe të sakta? Për të sqaruar këtë pyetje ne kërkuam një shpjegim nga Drejtoria e ekzekutimit të sanksioneve, por deri në publikimi e këtij teksti nuk morëm një të tillë. Të dhëna të sakta gjithashtu nuk ka as Komiteti i Helsinkit i të drejtave të njeriut sepse, siç sqaroi drejtorja e këtij komiteti, Uranija Pirovska, të dhënat zyrtare fshihen edhe nga ky institucion. Në rrethana të tilla krijohet përshtypja se janë me vend dyshimet e familjeve të të dënuarve, të cilat nuk i besojnë përgjigjes së Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve lidhur me mënyrën e vdekjes së të afërmve të tyre. Për këtë arsye ato kërkojnë të vërtetën, për të cilën vlerësojnë se fshihet prej tyre.
Të burgosurit në vend të mjekëve për turnin e tretë!?
Me ndihmën e rrëfimeve të ish të dënuarve, por edhe atyre që vazhdojnë të vuajnë dënimet, ne u përpoqëm të sigurojmë një pamje brenda ambulancave të burgjeve. Ajo e burgut më të madh, atë të Idrizovës, u ngjaka ambulancave të fshatrave ose lagjeve periferike, me një tavolinë pune, një karrige për mjekun, stetoskop, aparat për matjen e shtypjes së gjakut dhe dy-tre shtretër. Për sa u përket pajisjeve më të sofistikuara, ambulancat e këtij lloji kanë EKG. Për sa u përket medikamenteve, ato kanë nga pak aspirina dhe kafetin, si dhe barnat më të kërkuara, siç janë heleks dhe diazepami. Sipas bashkëbiseduesve tanë, kjo është pamja më e mirë që mund të shihet brenda një ambulance burgu, për arsye se ka ditë kur mungojnë mjekët, nuk ka barna dhe brenda tyre “dominon” papastërtia. Për të fituar të drejtën e kontrollit mjekësor të dënuarit fillimisht duhet ta njoftojnë rojën dhe të regjistrohen në listën përkatëse. Pas regjistrimit kontrolli zakonisht u mundësohet të nesërmen. Megjithatë, është roja i burgut ai që vendos nëse i dënuari vërtet ka nevojë të vizitojë mjekun sepse ka mundësi që sëmundja ose dhimbja “t’i kalojë vetvetiu”! Sipas të dhënave të Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve, në burgun e Idrizovës janë punësuar vetëm tre mjekë. Në ambulancë pas orës 18 nuk ka njeri. “Duhet të lutesh të jesh mirë dhe të mos kesh nevojë për mjek në mbrëmje. Po pate nevojë për mjek në mbrëmje, në dispozicion ke disa të dënuar që janë trajnuar për të ofruar ndihmë emergjente. Në fakt këto pacientë angazhohen për turnin e tretë”, thotë bashkëbiseduesi ynë, i cili doli në liri para disa muajsh. Ai kujtohet për një rast, kur bashkë me shokët e dhomës gjatë orëve të vona të mbrëmjes kanë bërtitur me zë të lartë për të alarmuar rojën e burgut. “Në shumë raste vlerësojnë se i dënuari është duke manipuluar dhe nuk e çojnë për mjekim, por shpeshherë vërtetohet se kanë vlerësuar gabimisht“, thotë ish i dënuari, i cili vuajti dënimin në burgun e Idrizovës.
Sipas drejtorisë, ambulanca e burgut funksionon mjaft mirë. Siç thotë drejtori Zhivko Pejkovski, në nivel vjetor – për mbrojtje mjekësore nga buxheti i përgjithshëm i burgut ndajnë rreth 35 milionë denarë, që sipas tij, është një shumë e mjaftueshme për të mbuluar kontrollet dhe për të siguruar medikamentet e nevojshme. Në burgun hetues të Shkupit, i njohur si burgu i Shutkës, të duhen akoma më shumë privilegje për të fituar të drejtën e kontrollit mjekësor. Në këtë burg, në dispozicion janë dy mjekë dhe një stomatolog, ndërsa në rast nevoje angazhohet edhe një psikiatër nga burgu i Idrizovës. Në Drejtorinë e ekzekutimit të sanksioneve sqaruan se nga një mjek është angazhuar në burgjet e Manastirit, Shtipit dhe Tetovës, si dhe në Entin Edukativo-Korrektiv në Tetovë, i cili është në fazën e rekonstruksionit. Ndërkaq, pa kujdesin e mjekut janë lënë qindra të dënuar që vuajnë dënimet në burgjet e Kumanovës, Kriva Pallankës, Strugës, Strumicës, Gjevgjelisë, Prilepit dhe Ohrit, megjithëse sipas Ligjit të ri të ekzekutimit të sanksioneve një gjë e tillë nuk lejohet.
Neni 124, paragrafi 1, parasheh si në vazhdim: “Institucionet kanë për detyrë të angazhojnë mjek, i cili do të kujdeset për gjendjen shëndetësore të të dënuarve”, ndërsa me paragrafin 4 është paraparë se shpenzimet e mbrojtjes shëndetësore të të dënuarve do të mbulohen me mjetet e buxhetit të shtetit. Me ambulancën luksoze, televizorin dhe krevatet e pastër mund të lavdërohet administrata e burgut të Shtipit. Megjithatë, sipas të burgosurve, në vend të të sëmurëve, ambulancën e këtij burgu e përdorin individët me privilegje, për të cilat besohet se paguajnë shumë.
“Atje është pastër dhe ka kushte njerëzore. Bëhet fjalë për dy dhoma me nga dy shtretër. Pra nuk banojnë nga tetë persona, siç është rasti me qelitë, që u mundëson të dënuarve të gjejnë qetësinë e nevojshme dhe të shikojnë televizorin. Ndërkaq të sëmurët i shëtisin nëpër repartet e tjera, ndërsa për barnat as që duhet diskutuar, nuk mund të gjesh as hapa kundër kokëdhimbjes. Na sugjerojnë të blejmë vetë”, thotë një i dënuar që vazhdon të vuajë dënimin e shqiptuar. Ai gjithashtu akuzon se ka pasur raste kur të dënuarit kanë vdekur sepse nuk u është ofruar me kohë ndihma e nevojshme. Megjithatë, për këto raste nuk ka një konfirmim zyrtar. “Një nga të burgosurit, Toni, vuante nga diabeti dhe humbi ndjenjat. U rrëzua përtokë, por nuk deshën ta çojnë për ta mjekuar, duke thënë se ai është duke manipuluar. U ngritëm të gjithë në këmbë dhe kërkuam ta ndihmojnë. Pas reagimit tonë të ashpër e çuan në spital. Të nesërmen ne morëm vesh se ai kishte ndërruar jetë. Ta kishin çuar me kohë do kishte shpëtuar”, thotë bashkëbiseduesi ynë. Ne për ta dëgjuar edhe anën tjetër ne kërkuam të bisedojmë me drejtorin e burgut, por punonjësit na thanë se ai është i zënë. Për dhimbjet e dhëmbëve burgu angazhon një stomatolog privat, i cili viziton burgun çdo të mërkurë. Siç sqarojnë, procedura është gjithmonë e njëjtë. Nuk ka rregullim dhëmbësh, atë gjithmonë hiqen.
Në vend të mjekimit, të dënuarve u lidhen duart dhe këmbët
Rrëfimet e të dënuarve zbardhin se në burgjet shpesh përdoren edhe masat e mjekimit “alternativ”, në vend të masave të parapara me ligj. Për shembull, sipas rregullave që janë përfshirë edhe me raportin zyrtar të Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve, për vitin 2016, në rastet e dyshimeve lidhur me ekzistimin e mundësisë për vetëlëndim ose vetëvrasje, të dënuarit do të akomodohen në ambientet me monitorim ose mbikëqyrje 24 orëshe, ndërsa psikiatri do të caktojë terapinë e këtyre pacientëve. Sipas praktikës të cilën e kanë konstatuar përfaqësuesit e Komitetit Evropian të Parandalimit të Torturës, në një nga burgjet vendase “mjekimi” duket plotësisht më ndryshe. Me raportin e fundit të 2015-ës vërehet se një i dënuar, i cili ka qenë i varur nga droga dhe ka tentuar të bëj vetëvrasje, në vend që të trajtohet me Ndihmën e Shpejtë, ai është mbyllur në dhomë izolimi me 5 metra katrore. Për gjashtë ditë me radhë ai është mbajtur me duar dhe këmbë të lidhura, ndërsa prangat i janë hequr vetëm për të bërë nevojat fiziologjike. Ndërkaq, një tjetër i burgosur është caktuar për ta monitoruar dhe për t’u kujdesur për të. Më saktësisht, ai ka pasur për detyrë ta ushqejë dhe ta ndihmojë për të urinuar në një shishe plastike (sipas të gjitha gjasave këtë trajtim e konsiderojnë si monitorim 24 orësh). Ky i burgosur, në vend të shtratit dhe dyshekut, ka fjetur në dysheme.
“Është plotësisht e papranueshme pacientët të lidhen ose lidhja e tyre të përdoret si një masë mbrojtëse, për arsye se ky lloj trajtimi mund të konsiderohet si një trajtim çnjerëzor dhe nënvlerësues“, thuhet në raportin e fundit të Komitetit Evropian të Parandalimit të Torturës. Viktimë e torturës në burgun e Idrizovës, zyrtarisht dhe në bazë të një aktgjykimi, është Zuher Ibraimov, një banor i Shkupit. Pas 13 vitesh të kaluara në burg, ai doli në liri pa një nga veshkat dhe shpretkë, organe këto që iu hoqën si rezultat të lëndimeve të rënda. Atë në vitin 2013 e rrahu rëndë një nga policët e burgut. Me shëndet të rënduar mjaftë Ibramovi pas rrahjes u kthye përsëri në qeli dhe u la pa kujdesin e duhur mjekësor dhe pa medikamentet e nevojshme, ndërsa polici që e rrahu u dënua me gjashtë muaj heqje lirie. Ibraimovi doli në liri në qershor të vitit 2014, por siç ka sqaruar ai, akoma nuk i ka marrë paratë që iu mundësuan në formë dëmshpërblimi sepse ai mbeti me invaliditet të përjetshëm. “Kaluan tre vite, por unë akoma nuk e kam marrë dëmshpërblimin, megjithëse nuk kam me se të jetoj. Kam gjashtë fëmijë, ndërsa pres të shtatin”, thotë Ibraimovi.
Në vend që të rritet, numri i mjekëve në ulje
Megjithëse vazhdimisht jepen rekomandime për forcimin e sigurimit shëndetësor të burgjeve, statistika zyrtare zbardh se numri i punonjësve të burgjeve është duke u zvogëluar vazhdimisht. Drejtoria e Ekzekutimit të Sanksioneve thotë se në këtë sektor janë plotësuar 17 vende pune, nëntë mjekë dhe tetë punonjës mjekësor, ndërsa sipas sistematizimit duhen hapur 30 vende pune. Ndërkaq, në vitin 2014 u punësuan 21 persona, në vitin 2013 në burg u punësuan 22 persona, ndërsa në vitin 2012 u angazhuan 24 punonjës. Më keq se sot ka qenë në vitin 2011, vit ky kur në sektorin përkatës u angazhuan vetëm 14 punonjës. Në vitin 2010 u angazhua një numër rekord punonjësish ose gjithsej 27, por të njëjtin vit ishte dashur të angazhohen 78 punonjës. Mbetet e paqartë se si ka konstatuar Drejtoria e ekzekutimit të sanksioneve se sot nevojiten vetëm 30 punonjës, ndërsa në vitin 2010 ishte dashur të angazhohen plotë 78 mjekë dhe kuadro mjekësore, në kohën kur numri i të dënuarve dhe të paraburgosurve sot është shumë më i madh, krahasuar me gjashtë vite më parë. Më saktësisht, në fund të vitit 2010nëpër burgje ka pasur 2.157 të dënuar dhe 330 të paraburgosur, ndërsa sot burgjeve ka 3.271 të dënuar dhe 387 persona që vuajnë masë paraburgimi. Me Strategjinë e mbrojtjes shëndetësore të viteve 2012-2014, e përgatitur nga drejtoria përkatëse, është paraparë se në vitin 2012 në sektorin e mbrojtjes shëndetësore janë punësuar 22 punonjës, ndërsa me sistematizimin ishte paraparë të funksiononin 124 vende pune, 36 nga të cilat në burgun e Idrizovës. Diferenca e numrave 30 dhe 124 është enorme. Krijohet përshtypja se qëndrimet dhe përgjigjet e Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve ndryshojnë qëllimit dhe subjektit për të cilin janë paraparë. Dilema e vetme është nëse të vërtetën e kanë mbytur në kovë me ujë ose e kanë mbytur me qese.