Qefser ABDYLI
Shkup, 21 mars – Qytetarët e Maqedonisë, sipas hulumtimeve ndërkombëtare, shumë vështirë ndahen nga aparatet e vjetra elektrike, ndërsa edhe pas nxjerrjes nga funksioni vazhdojnë ti ruajnë ato. Edhe pse bëhet fjalë për aparate të cilat teknologjia për dekada i ka tejkaluar sa i përket funksionalitetit, realiteti flet ndryshe, shkruan gazeta KOHA. Televizionet bardhë e zi, telefonat, bateri dhe shumë pajisje të tjera të vjetra pothuajse çdo ditë mund të shihen në rrugët dhe zonat e gjelbra. Hedhja e tyre në mbeturina dënohet, por shumë pak qytetarë kanë shprehi të selektojnë mbeturinat dhe t’i sjellin në vende të specializuara për këtë qëllim. Zhiva, plumbi, janë vetëm një pjesë e substancave të rrezikshme që përmbajnë këto pajisje, duke përfaqësuar rrezik potencial si për mjedisin po ashtu dhe shëndetin e njeriut. Në Maqedoni nuk ka të dhëna të sakta se si pikërisht ky lloj i mbeturinave përfundon në rrugë, për shkak të mungesës së sistemeve të monitorimit, thonë ekspertët. Sipas vlerësimeve të përfshira në studimin “Plani i menaxhimit të mbeturinave elektrike dhe pajisjeve elektronike të vitit 2013-2020” të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, supozohet se qytetarët deri në vitin 2020 do të “prodhojnë” 16.000 tonë mbeturina elektrike dhe elektronike. Ose me fjalë të tjera, në krahasim me vitin 2009, këto mbetje do të rriten për një të tretën.
DHURIMI, ALTERNATIVA MË E MIRË
“Qytetarët e Maqedonisë shpesh produktet e tyre të vjetra elektronike dhe elektrike i ruajnë në shtëpi. Vetëm 29 për qind e qytetarëve i ruajnë telefonat e tyre të vjetër, 22 për qind e familjeve kanë një frigorifer që nuk është në përdorim për gjysmë shekulli. Shumica e qytetarëve janë të liruar nga mbeturinat nëpërmjet donacioneve të dhuruar ose përmes shitjes së pajisjeve të vjetra blerësve në rrugë, por edhe përmes lënies në rrugë pranë kontejnerëve për mbeturinat komunale”, thonë ekspertë nga projekti “Rrjeti ballkanik për përkrahje të menaxhimit me e-mbeturina”, përcjell KOHA. Sipas analizave të tyre, shumica e qytetarëve mendojnë se dhurimi i e-mbeturinave është alternativa më e mirë, ndërsa për 45 për qind janë të mendimit se duhet të lirohen nga mbeturinat përmes hedhjes. Nuk është përqindja e vogël e atyre që mendojnë se ky lloj i mbeturinave duhet të lihet në kontejnerët për mbeturina komunale, ndërsa përqindja më e ulët e qytetarëve janë të gatshëm për t’i dërguar e-mbeturinat e tyre në pikat e caktuara për to. Në kuadër të NP “Higjiena Komunale” Shkup (HKSH) në Bulevardin Ilinden, ekziston vend i projektuar posaçërisht për asgjësimin e këtyre mbeturinave, ndërsa qyteti ka në plan për të hapur dy pika të këtillë. “Qytetarët pa ndonjë kompensim mund të sjellin mbetjet e tyre elektronike në oborrin për riciklim, ku bëhet magazinimi dhe procedurat e mëtejshme që lidhen me trajtimin nga ekipe profesionale. Përvoja tregon se ka interes në mesin e qytetarëve dhe në bazë të përditshme deponohen sasi të caktuara”, thonë zyrtarët e qytetit të Shkupit. Sipas përvojës ndërkombëtare, me rritjen e përdorimit të pajisjeve elektronike është në rritje dhe lloj i mbeturinave elektrike. Mbeturinat elektrike dhe elektronike aktualisht janë mbeturinat me rritje më të shpejtë në botë. Me fjalë të tjera, çdo vit rriten me 50 milionë tonë shuma e tyre. “Higjiena Komunale”-Shkup dy vjet më parë bleu pesë automjete të reja për të trajtuar këtë lloj të mbeturinave dhe futi një linjë telefonike, ku qytetarët mund të telefonojnë dhe të ftojnë ekipe të ekspertëve që do të nxjerrin nga vendi mbeturinat me një çmim simbolik. Në planin e HKSH-së për këtë vit janë paraparë katër aksione për mbledhjen e pajisjeve të vjetra elektrike në të gjitha komunat, përveç se në Saraj. Problemi më i madh me të cilit përballen institucionet është ndërgjegjësimi i pamjaftueshëm i qytetarëve në lidhje me detyrimet që i kanë sipas zakonit të mbeturinave elektrike dhe niveli i ulët i eko vetëdijes në vend. Në mungesë të kapaciteteve institucionale në nivel lokal dhe kombëtar për menaxhimin e duhur të e-mbeturinave, mbeturinat mbarojnë në deponi me mbetjet e tjera, edhe pse mbetjet elektrike dhe elektronike mund të përmbajnë ari dhe metale të tjera të çmuara.
50 EURO GJOBA
Sipas dispozitave ligjore të vitit 2012, secila komunë është e obliguar që të organizojë veprimet e qytetarëve për mbledhjen e mbeturinave të këtilla, dhe çdo komunë që ka mbi 30 mijë banorë duhet të ndërtojë një pikë grumbullimi për mbetjet elektrike dhe elektronike. Sipas ligjit për mbeturinat elektrike dhe elektronike të vitit 2012, ndalohet hedhja e mbeturinave elektronike me mbeturinat tjera. Dënimi me kusht për deponimin e pavend të e-mbeturinave është 50 euro në denarë. Ligji parashikon regjistrimin e të gjithë prodhuesve dhe importuesve të pajisjeve elektronike. Të gjithë prodhuesit e regjistruar dhe importuesit janë të detyruar t’u ofrojnë përdoruesve të fundit që para blerjes së pajisjeve të kenë mundësi të ofrojnë lirime gjatë shitjes së pajisjeve të mbeturinave në qoftë se ato pajisje janë të llojit të njëjtë si ai që është blerë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.