Me tenderin, në të cilin oferta mund të parashtrohen deri më datën 27 të muajit të ardhshëm, kur do të ketë hapje e tyre publike, do të zgjedhet aviokompania, e cila gjatë tre viteve të ardhshme do të marrë përkrahje financiare prej pesë milionë euro.
Për çdo destinacion të ri nga aeroportet në Shkup dhe Ohër do të paguhet kompensim i njëfishtë prej 40.000 eurove. Për çdo udhëtar në largim në tre vitet e para për destinacione nga Aeroporti i Shkupit, aviokompania do të fitojë nga nëntë, respektivisht tetë dhe shtatë euro, ndërsa nga Aeroporti i Ohrit përkrahja financiare për një udhëtar për vitin e parë do të jetë 13 euro, respektivisht 12 dhe 11 euro për vitin e dytë dhe të tretë.
Kompanitë që do të aplikojnë, mes tjerash duhet të kenë transportuar të paktën 10 milionë udhëtarë dhe të kanë realizuar fitim prej 25 milionë euro vitin e kaluar.
“Përkrahja financiare do t’i ndahet aviokompanisë, e cila do të ofrojë numër më të madh të destinacioneve, në të cilat do të operojë nga dhe deri te aeroporti ndërkombëtar Shkup dhe aeroporti ‘Shën Apostul Pali’ Ohër, e të cilët nuk janë shërbyer me transport të rregullt ajror në dy sezonet e kaluara IATA”, tha ministri resor, Goran Sugarevski.
Sipas tij, tërë procedura do të zhvillohet në mënyrë publike dhe transparente, ndërsa qëllimi kryesor është rritja e aviokomunikacionit dhe sigurimi i destinacioneve atraktive për qytetarët në pajtim me nevojat e tyre me çmime të pranueshme të biletave.
Siç sqaroi Sugarevski, në thirrjen mund të paraqiten aviotransportues nga vendi dhe të huaj, duke e përfshirë edhe aviokompaninë me buxhet të ulët “Viz er”, e cila gjatë gjashtë viteve të kaluara me dy marrëveshje fitoi 9,5 milionë euro subvencione nga shteti.
Obligimi i shtetit ndaj kompanisë “Viz er” janë përmbushur, tha Sugarevski.