Athinë, 9 prill – Në 24 orët e fundit në Greqi janë konfirmuar 71 raste të reja të Kovid-19, ndërsa kanë vdekur edhe tre persona, me ç’rast numri i të infektuarve nga fillimi i epidemisë është 1.955, ndërsa numri i të vdekurve 86 persona, transmeton gazeta KOHA.
Siç kumtoi profesori epidemiolog Sotiris Ciodras, në pres konferencën e sotme të rregullt në Ministrinë greke të Shëndetësisë, nga rastet e konfirmuara , 57 për qind janë burra, ndërsa pjesa më e madhe (45 për qind) janë midis 40 dhe 64 vjeç. Tre në dhjetë të infektuar janë midis moshës 18 dhe 39 vjeç, 21 për qind janë mbi moshën 65 vjeç, ndërsa fëmijët deri 17 vjeç janë nën tre për qind.
Nga të hospitalizuarit, 79 janë të lidhur në aparate, ndërsa prej tyre 77 për qind kanë disa probleme shëndetësore ose janë mbi 70 vjeç.
Sa i përket të vdekurve, mosha mesatare e tyre është 73, ndërsa prej 86 personave 23 janë gra.
Deri më tani, në Greqi, janë analizuar 33.634 mostra.