Athinë, 21 janar – Komisioni për Mbrojtje Kombëtare dhe Punë të Jashtme në Parlamentin grek, sot do ta shqyrtojë projekt ligjin për ratifikimin dhe fuqizimin e Marrëveshjes së Prespës, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Kryetari i Parlamentit, Nikos Vucis, paraprakisht do të mbajë takim me nënkryetarët që të përcaktohet procedura parlamentare, gjegjësisht sa takime do t’i mbajë komisioni dhe kur do të caktohet seanca plenare.
Projekt ligji të shtunën u dorëzua në Parlamentin grek, ndërsa pritet të votohet të premten.
Siç publikoi të shtunën MIA, projekt ligji i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Greqisë, që është nën titullin “Ratifikimi i marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të cilat janë shpjeguar në vendimet e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara 817 (1993) dhe 845 (1993), ndërprerja e Marrëveshjes së përkohshme të vitit 1995 dhe vendosja e partneritetit strategjik midis palëve”, i përmban tre nene.
Neni i parë është marrëveshja e nënshkruar në tërësi, neni i dytë ka të bëjë me ngritjen e nivelit të Zyrës për lidhje në Shkup në ambasadë dhe të Zyrës për çështje konsullore, ekonomike dhe tregtare në Manastir në nivel të Konsullatës së Përgjithshëm. Neni i tretë sqaron se ligji hyn në fuqi pas publikimit në Gazetën zyrtare, ndërsa marrëveshja pas ratifikimit në pajtim me nenin 20.
Projekt ligji me datë prej 18 janarit 2019, është nënshkruar nga kryeministri grek, Aleksis Cipras dhe ministrat e Qeverisë së tij.