Driton ZENKU
Gostivar, 16 mars – Të gjithë ata persona të cilët janë shfrytëzues të shtesës fëmijërore, shtesës së veçantë, prindërore dhe ata të cilët për herë të parë bëhen prind, deri në fund të këtij muaji kanë afat për të rregulluar dokumentacionin e nevojshëm për të shfrytëzuar të drejtën ligjore për të marrë mjetet financiare mujore që ofron shteti, shkruan gazeta KOHA. Gjithsej në Gostivar janë 1432 familje, të cilat kanë të drejtë për të shfrytëzuar këto mjete financiare, ndërsa numri më i madh i tyre janë shtesat prindërore për fëmijën e tretë – 1015, për fëmijën e katërt – 39, shtesat fëmijërore 140 dhe shtesa të veçanta, gjegjësisht për fëmijën e parë dhe personat me hendikep 242. Nga Qendra për Punë dhe Politikë Sociale në Gostivar apelojnë qytetarët që të shfrytëzojnë periudhën e mbetur dhe të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për ti shfrytëzuar këto mjete të cilat edhe ligjërisht u takojnë këtyre familjeve. “Si çdo vit, siç edhe është e rregulluar me ligj, ripërtëritja e dokumentacionit zgjat nga fillimi vitit, gjegjësisht nga 1 janari i 2017-tës dhe do të zgjas deri me 31 mars të këtij viti. Deri më sot në QPPS në Gostivar nga gjithsej 1.050 shfrytëzues të shtesës prindërore, ripërtëritje kanë bërë rreth 980 persona, ku hynë ndihma financiare për fëmijën e tretë dhe të katërt. Prej 140 personave shfrytëzues të shtesës fëmijërore, ripërtëritje kanë bërë 106 persona dhe nga e drejta për shfrytëzim të shtesës së veçantë, të gjithë 242 shfrytëzuesit kanë ripërtërirë dokumentet. Këtu dua edhe të apelojë deri te personat shfrytëzues të këtyre shtesave që ende nuk kanë aplikuar për ripërtëritje, të drejtohen deri te që t’u vazhdohet kjo e drejtë e tyre ligjore”, deklaroi për KOHA, Ivica Simoski, drejtor i kësaj qendre. Simoski theksoi se nëse nuk aplikohet në kohë, familjet do të humbin të drejtën e shfrytëzimit të këtyre parave, gjegjësisht, do të mund ti marrin këto të holla nga momenti kur do të dorëzojnë dokumentet e nevojshme. “Të gjithë shfrytëzuesit e të drejtave fëmijërore në përputhshmëri me Ligjin për mbrojtje fëmijërore nëse nuk parashtrojnë kërkesë, gjegjësisht nuk bëjnë ripërtëritje të dokumentacionit për ndonjërën nga këto kategori, e drejta u ndërpritet me ligj, e cila përfshinë periudhën nga fillimi i vitit. Megjithatë, nëse brenda vitit parashtrohet kërkesa për ta vazhduar të drejtën ligjore, ajo do të hy në fuqi dhe është e vlefshme nga dita që dorëzohet kërkesa. Për fëmijën e tretë në muaj merren nga 8.500 denarë derisa ai fëmijë të mbush dhjetë vjet, për fëmijën e parë shteti ndanë vetëm një herë 5.000 denarë. Vitin e kaluar për shtesat fëmijërore shteti ka dhënë 2.775. 895 denarë në Gostivar, për shtesat e veçanta mbi 14 milionë denarë, ndihmë të njëhershme 1.760.000 denarë dhe për shtesat prindërore ose fëmijën e tretë dhe të katërt 112,5 milionë denarë. Në total për të gjitha këto kategori në Gostivar janë paguar 131 milionë e 337 mijë denarë ose 2 milionë e 153 mijë euro.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.