Shkup, 18 prill – Seanca e sotme gjyqësore për sulmin ndaj deputetit Ziadin Sela në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill të vitit të kaluar, filloi me deklaratën e dëshmitarit Aleksandar Stojkoski, mjek në Klinikën për Radiologji në Shkup, i cili është dëshmitar i Prokurorisë.
Në pyetjen e prokurorit Darko Jakimovski nëse në ditën kritike ka qenë në Kuvend, Stojkoski tha se ka qenë në klubin e deputetëve të Kuvendit ku ka qëndruar për 15 minuta.
Stojkoski tha se është ish-deputetë dhe shumë mirë e njeh strukturën e Kuvendit. Ka qenë rastësisht duke kaluar në Kuvend dhe atë ditë nuk ka qenë në protesta. Kur ka dalë nga klubi i deputetëve e ka parë Ziadin Selën të shtrirë në tokë para shkallëve, ndërsa rreth tij kanë qenë një grup njerëzish të cilët si stampedo silleshin rreth tij.
Në moment të parë dëshmitari tha se ka qenë i shokuar dhe është tërhequr, por kur e ka parë Aco Janevski – Toshta se si i ka larguar njerëzit rreth Selës, kjo e ka inkurajuar edhe ai të ndihmojë në largimin e njerëzve. Sela nuk ka qenë në vetëdije. Stojkoski tha se kujtohet se e ka larguar dhe ka tentuar ta qetësojë të akuzuarin Kire Gjorgjievski.
Tha se nuk mund të thotë se Kire e ka sulmuar Selën, pasi që nuk ka parë sulm të drejtpërdrejtë. Dëshmitari tha se nuk e ka parë asnjërin prej të akuzuarve se ka kryer sulm të drejtpërdrejt ndaj Selës. Stojkoski shtoi se ka ndihmuar që Sela të futet në klubin e deputetëve kur në atë moment ka qenë më e sigurt. Aty ia ka dhënë ndihmën e parë. Sela ka pasur lëndime në kokë – fytyrë. E ka kontrolluar në trup të shohë nëse ka edhe lëndime të tjera ose plagë. Ka kërkuar prej të pranishmëve ti sjellin akull, me ç’rast Sela është kthyer në vetëdije dhe ka tentuar t’i hap sytë. Stojkoski me qëllim që t’ia fsheh identitetin së bashku me të pranishmit i kanë veshur një xhup me qëllim që ta nxjerrin prej objektit të Kuvendit.
Stojkoski dëshmoi se me të akuzuarin Aco Janevski Toshta dhe persona të tjerë të punësuar në Kuvend e kanë dërguar fillimisht në bufe ndërsa më pas edhe jashtë Kuvendit.
Pas Stojkoskit sot në Gjykatë duhet të dëshmojnë edhe gazetari Goran Tërpenoski dhe Bojan Vasilevski i punësuar në Kuvend.