Shkup, 14 mars – Në Gjykatën Penale në Shkup, sot duhet të fillojë seanca për rastin “Monstra” kundër të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë te Liqeni i Smillkovës në Shkup më 12 prill të vitit 2012.
Në seancën e kaluar nga gjykimi i sërishëm për këtë lëndë, që u mbajt më 12 shkurt u lexua akti i prokurorisë. Prokurori Naum Panovski tha se mbeten në aktakuzën fillestare, me të cilin të pandehurit ngarkohen për terrorizëm. AI lexoi vetëm një nga akuzat për rastin.
Avokati, Naser Raufi vërejti se është lexuar akuza fillestare e 26 shkurtit të vitit 2012, por jo edhe ajo për Sami Lutën, e cila në procesin paraprak gjyqësor ishte e bashkuar me aktin e prokurorisë për Alil Demirin, Afrim dhe Agim Ismailoviqin dhe Haki Azirin.
Pas vërejtjes së avokatit, Këshilli i ri gjyqësor i përbërë nga gjykatësit Ognen Stavrev dhe Osman Shaban, e ndërpreu seancën dhe vazhdimin e gjykimit e caktoi për sot.
Në bankën e të akuzuarve sot janë katër të paditur, ndërsa të akuzuarit e parë Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, për të cilët ka urdhërarrest ndërkombëtar me vite janë në arrati në Kosovë.
Masakra afër Liqenit të Smilkovës ka ndodhur më 12 prill të vitit 2012, të Enjten e Madhe, para festës krishtere të Pashkëve, kur u vranë djemtë Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski.
Për vrasjen e pesëfishtë te Liqeni i Smilkovës, me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq dhe Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.
Pas shfuqizimit të aktgjykimeve, Gjykata Supreme në dhjetor të vitit të kaluar i liroi nga paraburgimi Agim Ismailoviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri dhe iu caktoi masa sigurie. Për gjykatën ende janë të pakapshëm Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq për të cilët është shpallur urdhërarrest ndërkombëtar.