Në Gjykatën Penale gjykimi i rastit “Titanik” të PSP- së

Shkup, 23 gusht – Në Gjykatën Penale në Shkup sot duhet të mbahet gjykimi për lëndën Titanik të Prokurorisë Speciale Publike. Seanca e kaluar u anulua për shkak të mungesës së anëtarit të Trupit gjykues, gjykatësit Ognen Stavrev, njofton Koha.mk

Lënda, të cilën e zhvillon gjykatësi Osman Shabani, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është Lile Stefanova, gjendet në procedurë dëshmuese.

Deri më tani janë nxjerrë rreth 4.850 nga mbi 5.900 dëshmi të propozuara materiale nga PSP-ja.

Përveç ish kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili është në arrati në lëndën “Titanik” të akuzuar janë edhe Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkoska-Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leko Ristoski, Kiril Todorovski, Katerina Velkovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashjakovska.

Ata akuzohen për bashkëpunim kriminal, shkelje të së drejtës zgjedhore, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës zgjedhore. (koha.mk)