Në Gjenevë sot fillon raundi i ri i negociatave paqësore për Sirinë, si pjesë e tentimeve më të reja të KB-së për vënine fund të luftës gjashtëvjeçare qytetare në vend, ku deri më tani jetën e humbën mbi 320.000 persona. Në patronatin e KB-së, deri më tani u mbajtën pesë takime në të cilat është biseduar për ndërprerje të zjarrit në Siri, por ato përfunduan pa sukses, kështu që analistët vlerësojnë se gjasat për arritje të përparimit më të madh edhe në këtë raund të gjashtë të negociatave janë minimale.
Forcat e presidentit sirian, Bashar al Asad e prëforcuan pozitën e vet në terren, prëderisa kryengritësit po tentojnë të rimarrin veten nga goditja pas humbjeve të mëdha në rajonin e Damaskut. Asad kohë më parë, për televizionin bjellorus ONT, procesin paqësor të Gjenevës e vlerësoi si “të zbrazët”, duke theksuar se ajo është në “shfaqje e zakonshme për mediumet”. Lideri sirian me atë rast, si më të rëndësishëm e ceki procesin diplomatik në Astanë, që e kryesojnë aleatët e tij Rusia dhe Irani, së bashku me mbështetësen e kryengritësve, Turqinë.
Gjatë procesit në Astanë, më 4 maj ishte vendosur të krijohen katër “zona të deeskalimit” në rajonet siriane ku përleshjet janë në shkallën më të lartë. Ndërmjetësi i KB-së për Sirinë, Stefan De Mistura e hodhi poshtë sugjerimin se negociatat në Astanë e kanë “lënë në hije” procesin e Gjenevës. “Ne punojmë në tandem”, deklaroi De Mistura. Negociatat, me ndërmjetësim të KB-së, janë të kahëzuara drejt disa temave, si të drejtat e njeriut, përpunimi i kushtetutës së re, zgjedhjet dhe lufta kundër terrorizmit në Siri.
Pritet që përfaqësuesit e Qeverisë siriane dhe të Komitetit të lartë opozitar negociues (HNC) të negociojnë në Gjenevë deri në fundjavë, ndërsa De Mistura theksoi se dëshiron negociata rreth disa çështjeve për të cilat shpreson se do të realizohet përparim solid. HNC konsideron se largimi i Asadir nga pushteti duhet të jetë pjesë e çdo transicioni politik në vend, gjë që Qeveria siriane e refuzon.