Pas ditës së zgjedhjeve në dy partitë më të mëdha në vend LSDM e VMRO-DPMNE, lind pyetja çfarë realisht mund të pritet si një ndryshim në shoqëri. Premtime zgjedhore, paralajmërimet për reforma brendapartiake dhe ndryshim të doktrinës politike, ishin vetëm disa nga paralajmërimet e liderëve të rinj të partisë
Xhenur ISENI
Shkup, 15 dhjetor – Premtime të reja për bashkim dhe patriotizëm të përbashkët, koncepte të reja për shtetin, marrje përgjegjësie, përkushtim për anëtarësinë partiake, por edhe hapje të partive ndaj ideve të reja dhe profesionistëve të rinj. Këto janë vetëm disa nga ndryshimet e premtuara nga dy partitë më të mëdha politike në vend VMRO-DPMNE dhe LSDM pas zgjedhjeve që mbajtën për kryetarë të ri. Kryeministri Zoran Zaev nuk është më lider i LSDM-së në pushtet, pasardhësi i tij është Dimitar Kovaçevski. Deri te kjo erdhi pas humbjes së zgjedhjeve lokale nga VMRO-DPMNE. Nuk ka ndryshime në opozitaren VMRO-DPMNE, lideri aktual Hristijan Mickoski mori mandatin e dytë me premtimin për një epokë të dytë edhe më të suksesshme.
Analisti politik, Petar Arsovski thotë se pret më shumë ndryshime në LSDM sesa në VMRO-DPMNE pas zgjedhjeve për lider të ri, sepse në partinë opozitare bëhet fjalë për zgjedhjen e vazhdimësisë. “Atje ajo që mund të pritet është se Mickoski me mandatin e ri do të mund ti bën gjitha ndryshimet të cilat ndoshta nuk i ka bërë më herët, ta konsolidon vizionin e tij, ta vendosë partinë në atë që është strategji e tij. Në LSDM priten ndryshime më të mëdha sepse atje zgjedhje është me narrativin e ndryshimit. Atje mund të priten ndryshim të ndonjë pozite udhëheqëse, mund të pritet edhe ndryshim të kabinetit qeveritarë”, thotë Arsovski.
Nga ana tjetër, lideri i ri i LSDM-së në pushtet Kovaçevski nuk ka sqaruar se çfarë pas zgjedhjes së tij në kryesinë e partisë por edhe me rikonstruimin e Qeverisë që pritet pasi ai do të duhet të udhëheqë qeverinë e re, sipas paralajmërimeve të mëparshme se lideri do të jetë kryeministër. Sipas statutit të LSDM-së, nënkryetarët e partisë Milla Carovska, Venko Filipçe dhe Fatmir Bytyqi janë në dorëheqje, dhe zëvendësuesit e tyre mund të zgjidhen në kongresin e ardhshëm të cilët mund ta thirr lideri i ri ose me vendim të kryesisë qendrore. Deri më tani Zaev mbetet në pozitën e kryeministrit, deri sa nuk e dorëzon zyrtarisht dorëheqjen në Parlament.
ÇFARË POROSITËN LIDERËT E PARTIVE MË TË MËDHA POLITIKE?
Mesazhet e dy liderëve pas zgjedhjeve, fillimisht u drejtuan anëtarëve me thirrje për bashkim dhe reforma brendapartiake, pa sulmuar kundërshtarin, gjë që është një risi. Analisti Berat Azizi thotë se të dy liderët në fjalimet e tyre theksuan nevojën për qetësimin e tensioneve dhe hyrjen në ujëra më të qeta politike në periudhën e ardhshme. Mbetet të shihet nëse kjo do të reflektohet në realitet në veprimet e tyre, shtoi ai. “Premtimet e dy liderëve të partive politike VMRO-DPMNE dhe LSDM të cilët kanë marrë mbështetjen e delegatëve të dielën ndryshojnë shumë nga fjalimet paraprake të liderëve politik. Liderët u zotuan se do të jenë të hapur për të gjitha subjektet politike, do të janë të hapur për bashkëpunime me profesionistët dhe kuadrot e reja për të rifreskuar radhët e partive politike. Por, unë mendoj se ajo që është më e besueshme dhe që pres nga liderët e ri ka të bëjë me reformat për të çuar vendin në BE- sepse nuk ka rrugë tjetër dhe fakti që inkuadrimi në BE varet nga Bullgaria i bashkon këta dy liderë në një pikë. Në planin e brendshëm politik nuk pres ndonjë ndryshim të madh pasi Mickoski tashmë e ka bërë të qartë se do të bashkëpunojë me partitë politike shqiptare duke aluduar në opozitën aktuale, por në zgjedhje gjithçka ndryshon dhe koalicionet e mundshme do të varen nga numrat”, ka deklaruar Berat Azizi, analist.
Opozitarja VMRO-DPMNE paralajmëroi doktrinë të re prej 17 pikave e cila ende nuk është e publikuar në tërësi. Mickoski në fjalimin e tij e paraqiti si epokë të dytë, duke e quajtur si “Marrëveshje të re”. “Në anën tjetër tek Mickoski shoh një lëvizje pozitive në drejtim të hapjes së partisë për të gjitha etnitetet, një rifreskim të radhëve të saja dhe një politikë me tone më të buta dhe me një retorike shumë më pranueshme për të gjitha etnitetet ndryshe nga ajo retorike nacionaliste që e kishin dikur. Mendoj se Mickoski tashmë e ka pranuar se rritja e partisë dhe bashkëpunimi me shqiptarët mund të bëhet vetëm me një politikë të barabartë”, ka deklaruar Azizi.
Me doktrinën e re opinionit i ofrohen vetëm disa shembuj si përmirësimi i standardit ekonomik në nivelin e “një Austrie”, rritje ekonomike, ulja e taksave ndaj shtetit, etj. Në anën tjetër, VMRO-DPMNE paralajmëroi ndryshime ideologjike, gjegjësisht lëvizje drejt qendrës dhe të majtës për të zgjeruar mbulimin e simpatizantëve partiak. “Këto janë ndryshime normale në ditët e sotme. VMRO-DPMNE u kritikua se ishte shumë e djathtë dhe për këtë disa nga projektet kyçe si Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë janë problematike dhe këtë paralajmërim e interpretoj në atë drejtim, se ata duan t’i përjashtojnë ato kritika nga doktrina e re e partisë”, thotë Arsovski.
Në anën tjetër analisti Berat Azizi mendon se Kovaçevski do të shkëputet nga ndikimet e oligarkëve të cilët dukshëm kanë ndikuar në parti. “Në rrafshin ekonomik është tepër e vështirë të presim zhvillime pozitive për shkak të situatës së krijuar si rezultat i pandemisë në planin ndërkombëtar, por këtu do të duhet një përpjekje shumë më e madhe e të dy liderëve. Pres që transparenca dhe llogari dhënia që jetë në nivelin e duhur si një mundësi e vetme për të çuar proceset përpara dhe për të kthyer besimin e institucioneve tek qytetarët. Jemi në një situatë ku të dy liderët ndodhen para një sfide të rëndësishme. Mickoski udhëheq me komunat, ndërsa Kovaçevski me pushtetin qendror dhe këtu do të vijë në shprehje se sa do të jenë të aftë të jenë transparent, të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për dështimet eventuale në planin politik dhe ekonomik”, ka përfunduar Azizi.
DYER TË HAPURA PËR PROFESIONISTËT
Të dy liderët paralajmëruan se do ti hapin partitë e tyre për profesionistët, siç thotë Mickoski për “dialog me mendjet e shëndosha”. “Sa i përket hapjes së profesionalizmit dhe ndryshimit, teorikisht është e mundur, por duhet të shohim nëse lidershipi i ri do të shkojë vërtet në atë drejtim, sepse deri më tani partitë zakonisht janë mbështetur në forcat e tyre, paralajmërimet për profesionalizëm janë të mirëseardhura, por të shohim nëse kjo do të realizohet në praktikë”, thotë Arsovski.
Para mbajtjes së kongresit të 17 të VMRO-DPMNE-së, përfaqësues të partisë kërkuan nga lideri i ri i LSDM-së takim me qëllim caktimin e datës për zgjedhje të parakohshme. Nga partia në pushtet deklaruan se tani nuk është koha për zgjedhje. (koha.mk)