Shkup, 28 shtator – Shefi i Shtabit të Bashkimit Demokratik për Integrim në Gazi Babë, Ali Sadiku të enjten në një konferencë shtypi në selinë e partisë në Shkup, njoftoi se BDI në këto zgjedhje në Komunën e Gazi Babës garon me listë të përbashkët me partitë e tjera shqiptare për këshilltarë në këtë komunë. “Iniciativa për Lista të përbashkëta është e kamotshme dhe e iniciuar asokohe nga kryetari i partisë Ali Ahmeti ne vitin 2009 nëpër komuna ku qytetarët shqiptarë nuk janë shumice, si për shembull në Ohër, Manastir, Prespë, Veles dhe të tjera. Kjo tentativë u përsërit edhe njëherë nga ana e kryetarit Ahmeti në vitin 2013 dhe pati sukses sporadik në ato zgjedhje, por përçarja e votës shqiptare në ato zgjedhje ndikoi në defaktorizimin e shqiptarëve. Fara e mbjellë në vitin 2009, doli në sipërfaqe dhe mbiu më vitin 2017, me ç’rast shqiptarët u bashkuan duke u afruar dhe përpiluar një listë të përbashkët, duke u bërë vendimtar, duke mos lejuar defaktorizimin e shqiptarëve, duke maksimizuar dhe përqendruar votën vetëm në një listë të përbashkët në komunën e Gazi Babës si dhe në disa komuna të tjera, si Manastir dhe Ohër”, tha Sadiku. Kjo fryme e bashkimit, shtoi, rrjedh edhe nga Deklarata e Përbashkët e partive shqiptare. “Unë ftoj shqiptarët në komunën e Gazi Babës që masivisht të rrethojnë numrin 5 për t’i bërë shqiptarët më të fortë, më të rëndësishëm dhe më dobiprurës për të mirën tonë të përbashkët”, tha Sadiku në pres konferencë.