Nismat e ndryshme rajonale synojnë zhvillimin e një oferte të përbashkët turistike, me qëllim rritjen e fluksit turistik, kohëzgjatjen e qëndrimit të turistëve , si dhe rritjen e të ardhurave në degën e turizmit në shtetet e Ballkanit Perëndimor
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 31 korrik – Nismat e ndryshme rajonale, por edhe bashkëpunimi i shteteve fqinje synojnë në të ardhmen zhvillimin e një ofertë të përbashkët turistike, me qëllim të rritjes së fluksit turistik, kohëzgjatjes së qëndrimit të turistëve, si dhe të ardhurave dhe punësimit në degën e turizmit në shtetet e Ballkanit Perëndimor, shkruan gazeta KOHA. Në këtë drejtim, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal do të ofrojë grante apo mjete të pakthyeshme me vlerë prej 1.62 milionë euro të financuara nga BE e që kanë për qëllim të përmirësojnë infrastrukturën dhe cilësinë e shërbimeve në rajon, e sidomos turizmin aventurier. Skema përfshin të paktën 30 grante, me një vlerë deri në 54 mijë euro secili. Implementimi i këtyre granteve do të bëhet përgjatë një periudhe 3-vjeçare.
“Me këtë skemë grantesh, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal do t`i mundësojë ekonomive publike dhe private në vendet e Ballkanit Perëndimor të implementojnë ndërhyrjet e nevojshme në qendrat turistike dhe të bëhet më tërheqëse për turistët e huaj. Me fjalë të tjera, ne do të ndihmojmë në ndërtimin e një turizmi të përbashkët të rajonit, gjë që do të çojë në më shumë vizitorë në këto vende, si dhe do të zgjasë në kohë qëndrimin e tyre në rajon, duke qenë se pritet të ketë më shumë vende për t`u vizituar dhe guida të unifikuara”, thotë Goran Svilanoviç, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunim Rajonal.
Kohë më parë, gjatë takimit të ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, me homologen bullgare Nikolina Angelova, u arrit pajtueshmëri se për të tërhequr turistë nga tregjet e largëta, nevojitet krijimi i një rruge rajonale turistike, dhe për këtë qëllim veçmë është krijuar një grup pune nga dy vendet, të çilat deri në këtë vjeshtë duhet të përgatisin një propozim-ofertë të përbashkët të turizmit, që mund të përfshijë vendet e tjera në rajonin e interesit, të cilat do të ofrojnë tërheqje të ndryshme për turistët botërorë në një distancë të vogël.
Ministri Bekteshi shprehu gatishmëri për realizimin e kësaj iniciative, ndërsa propozoi që në periudhën e ardhshme të realizohet një takim pune mes dy vendeve, me përfaqësues nga vetëqeverisja lokale, operatorë turistikë, hotelierë, transportuesit ajror, sidomos ato me kosto të ulët, me qëllim të përfshirjes së sektorit të turizmit në përcaktimin e aktiviteteve të përbashkëta për paraqitje në tregjet e largëta turistike. Në ndërkohë, është paralajmëruar se edhe Shqipëria dhe Serbia do të paraqiten me një ofertë të përbashkët turistike për vendet e treta. Lajmi u bë i ditur kohë më parë nga ministri shqiptar i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në Beograd, ku firmosi një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e turizmit me ministrin serb të Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Rasim Lajiq. Marrëveshja e bashkëpunimit midis dy vendeve parashikon bashkëpunimin në fushën e turizmit, promovim të përbashkët të turizmit mes Shqipërisë e Serbisë, pako të përbashkëta për vendet e treta, etj.
Përveç kësaj marrëveshjeje dypalëshe, ministri Klosi shprehu vullnetin edhe për oferta të përbashkëta rajonale. “Së bashku me ministrin Lajiq do të punojmë që ofertat të mos jenë vetëm shqiptare dhe serbe, por të jenë një bashkëpunim midis gjashtë institucioneve të turizmit të rajonit tonë, së bashku me Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë”, tha ministri Klosi.
Në ndërkohë, Këshilli i Koordinimit Rajonal po punon për të harmonizuar bashkëpunimin në sektorin e turizmi duke vënë nëntë piketa për të cilat do të punojnë bashkërisht.
Në një dokument të posaçëm i këtij institucioni me seli në Sarajevë, bëhet e ditur se një projekt i posaçëm për Zhvillimin dhe Promovimin e Turizmit në Rajon synon të promovojë në rang global ofertat e përbashkëta turistike, të përmirësojë aftësitë dhe kapacitetet në industrinë e turizmit, të hiqen barrierat administrative për zhvillimin e turizmit dhe të rrisin hyrjen e turistëve dhe të ardhurave të gjeneruara nga turizmi.
Qëllimet e planit të përbashkët rajonal për turizmin përfshijnë: ofertat e konsoliduara turistike në Ballkanin Perëndimor, zhvillimin e rrugëve dhe ofertave të përbashkëta rajonale të turizmit të kulturës dhe aventurës, ofertat rajonale të bëhen konkurruese, të përmirësohet infrastruktura e turizmit, si dhe të hiqen pengesat administrative për lëvizjen e lirë të turistëve. Gjithashtu punohet që turizmi rajonal të ofrohet në nivel global, të rritet fluksi turistik, kohëzgjatja e qëndrimit dhe të ardhurat etj.
Deri tani, shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë themeluar grupin e ekspertëve të turizmit, i cili identifikoi barrierat e politikave që pengojnë zhvillimin e sektorit dhe prodhuan rekomandime se si t’i kapërcejnë ato. Është ngritur poashtu edhe Task Force mbi Kulturën dhe Shoqërinë (TFÇS).
Turizmi kulturor dhe turizmi i aventurës janë renditur si pakot më konkurruese të tregut për zhvillimin e përbashkët të produkteve rajonale. Një projekt me vlerë 5 milionë euro është aktivizuar për Zhvillimin dhe Promovimin e Turizmit (Triple P Tourism) me qëllim për të promovuar ofertën rajonale të turizmit. Ndryshe, ekspertët e turizmit thonë se ekonomitë e Ballkanit mesatarisht shpenzojnë më pak se 2 për qind të shpenzimeve të përgjithshme qeveritare për turizmin, oferta e turizmit është e fragmentuar në të gjithë zinxhirët e vlerës dhe infrastruktura është pjesërisht e pazhvilluar. Njëherazi, ekzistojnë edhe pengesa administrative për rrjedhën e lirë të turistëve (p.sh. viza dhe sigurimi shëndetësor), ndërsa aventurat dhe rrugët e turizmit kulturor nuk janë zhvilluar dhe promovuar në mënyrë të mjaftueshme. (koha.mk)