Urim HASIPI
Tetovë, 12 korrik – Pas shumë vonesave dhe problemeve me kyçjen në rrjetin elektrik, është lëshuar në përdorim Stacioni i ri për grumbullim të mbeturinave në Tetovë. Prej tash e tutje pritet që ky stacion të jetë vend ku do të grumbullohen mbeturinat nga Komuna e Tetovës dhe më pas, do të transportohen ose në deponinë Rusino ose në deponinë Drislla, ndërsa stacioni që ishte në dalje të Tetovës, sipas paralajmërimeve nuk do të jetë vend për mbeturina, shkruan gazeta KOHA. Ky është zotimi që ka dhënë kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, lidhur me problemin e mbeturinave në Tetovë. Sipas saj, është arritur që të vihet në funksion stacioni i grumbullimit të mbeturinave. Ajo tha se ky stacion, i cili gjatë kohë është përgatitur, është planifikuar dhe kjo është faza e parë e zgjidhjes së problemit me mbeturinat dhe transportimin e tyre. “Ideja është që të gjitha mbeturinat të hidhen në kontejner dhe me atë direkt të transportohen në deponi, që nënkupton se me intensitetin që kemi filluar me pastrimin e stacionit që është në hyrje të Tetovës dhe shpresoj se edhe me përkrahjen e miqve tanë do të arrijmë që atë deponi ta heqim tërësisht prej aty. Faza tjetër e këtij projekti është qendra e selektimit që mendojmë se më shumë do të ndikojë në punën e ndërmarrjes publike. Pas Shkupit, Tetova është qyteti i dytë që bën zgjidhje sistematike të këtij problem që është problem jo vetëm në qytetin tonë, por është problem i tërë vendit dhe shpresoj se Qeveria e re do të arrijë të ndërtojë një strategji efikase për të zgjidhur problemin e mbeturinave në tërë shtetin”, deklaroi Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës. Në ndërkohë, qeveria zvicerane ka ndarë 7 milionë franga për rikonstruimin e deponisë Rusino, që është faza e tretë për rregullimin e problemit të mbeturinave, ndonëse faza e dytë është rregullimi i çështjes së selektimit të mbeturinave. “Si pjesë përbërëse e këtij plani është edhe faza e tretë për modernizmin e deponisë Rusino, meqenëse është më afër, por edhe në të njëjtën kohë Pollogu ka problem në përgjithësi me hedhurinat, jo vetëm Tetova. Kemi arritur marrëveshje me Qeverinë zvicerane të cilët për rinovim të deponisë Rusino kanë ndarë 7 milionë franga dhe në këtë periudhë jemi në fazën e nënshkrimit të kontratës. Ideja është që ajo të modernizohet si një deponi moderne, kurse komunat e Pollogut të kujdesen me mirëmbajtjen e saj”, sqaroi Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës. Kryetarja Arifi, për herë të parë ka falënderuar edhe banorët e Lagjes Dardani që kanë pasur mirëkuptim pasi që deponia e egër për 20 vite ka qenë në atë vend dhe gjithnjë e njëjta ka shkaktuar erë të rëndë dhe ndotje të ambientit.
“Falënderoj Ndërmarrjen publike komunale “për gjithë angazhimin permanent në këtë proces mjaft të vështire që kaluam ndër vite. Kjo është vetëm faza e parë e zgjidhjes së problemit, sepse në qëllimet dhe punën tonë programore është edhe ndërtimi i qendrës për selektim të mbeturinave. Dua t’i falënderoj banorët e lagjes “Dardania” për mirëkuptimin dhe durimin që kanë treguar deri në zgjidhjen e problemit të trashëguar më shumë se 20 vite”, theksoi Arifi. Ky stacion ndodhet në dalje të Tetovës, rrugës lokale për në fshatin Trebosh. (koha.mk)