Fatos RUSHITI
Shkup, 5 tetor- Krahas debateve televizive dhe shpalljes së programeve të kandidatëve për kryetarë të komunave, partitë politike ditëve e fundit kanë zbritur në bazë për ti angazhuar maksimalisht strukturat lokale, kjo për të bindur qytetarin shqiptar për dhënien e votës. Lufta politike për votë në rrethin e parë po zhvillohet mes katër fronteve – BDI-LSDM, Lëvizja BESA, ASH dhe PDSH, po mos e mohuar këtu rivalin tjetër – koalicioni RDK-UNITETI në qytetin e Gostivarit. Partia në pushtet, BDI konkurron në 18 komuna me kandidatë për kryetarë, ndërsa në 35 komuna me lista për këshilltarë duke hapur 35 shtabe në nivel degësh dhe mbi 250 shtabe në nivel të këshillave vendor. Partia e Ali Ahmetit, sipas asaj që thonë nga Shtabi Qendror i kësaj partie, pretendon fitore që në rrethin e parë në Komunën e Sarajit, Zhelinës, Tearcës, Vrepçishtit, Dibrës dhe Kërçovës, ndërsa në rrethine dytë presin që LSDM të lehtësojë fitoren e BDI-së në Tetovë, Gostivar dhe Strugë, thonë për gazetën KOHA anëtar të Shtabit Qendror të BDI-së. Siç shtojnë ata, BDI do të angazhohet maksimalisht që kandidati i LSDM-së për Qytetin e Shkupit, Petre Shilegov, të fitojë në rrethin dytë ndaj Koce Trajanovskit të VMRO-së. “Fakti që duam forcimin e koalicionit qeveritar, kjo për të mirën e të gjithë qytetarëve, bashkëpunimi në zgjedhje lokale do të jetë faktor që në të ardhmen – me LSDM-në të nxjerrim kandidat të përbashkët për president pa mos mohuar deri në fund as koalicionin parazgjedhor në disa prej njësive zgjedhore me çka mund të rrisim ndjeshëm përfaqësimin e shqiptarëve në Parlament”, thonë nga Shtabi qendror i BDI-së. Nga Lëvizja BESA mendojnë se tashmë veç kanë ndërtuar kauzën kundër rivalëve politike, ku më të theksuar janë kundër BDI-së, ndërsa elektorati i tyre është i etabluar që nga zgjedhjet parlamentare. “Nëse kësaj i shtojmë dhe kandidatët për kryetar të komunave me kredibilitet të lartë moral dhe profesional, fitore të sigurt presim që në rrethin e parë në Likovë, Çair, Saraj, Studeniçan, Bogovinë dhe Zhelinë, ndërsa në rrethin e dytë do ti fitojmë mbi 10 komuna shqiptare – përfshirë me siguri këtu edhe Tetovën, ku presim të fitojë në rreth të dytë kryetari i partisë, Bilall Kasami”, thonë anëtar të kryesisë të Lëvizjes BESA. Ata shtojnë se elektorati shqiptar që ia kthehu shpinën BDI në zgjedhjet parlamentare dhe që votoi partinë e tyre sigurisht se do të shtohet e jo të kthehet në BDI – aq më shumë, thonë nga BESA, kur BDI përqafon si çdo herë liderët politikë maqedonas. “Gjendja e mjerueshme në komunat shqiptare flet qartë se pretendimet e BDI-së se do të fitojë disa komuna në rrethin e parë janë thjeshtë për të turbulluar dhe dezinformuar opinionin e jo se janë reale dhe gjejnë vend në mendjen popullit shqiptar”, thonë anëtar të kryesisë së Lëvizjes BESA. Pretendime serioze që në rrethin e parë shfaq edhe Aleanca për Shqiptarët edhe atë në Vrapçishtë dhe Bogovinë, ndërsa në rrethin e dytë do të shkojnë dhe me idenë për t’i fituar ato në Strugë, Dibër, Gostivar, Haraçinë, Tetovë, Tearcë, Zhelinë dhe Likovë. Me mbi 170 shtabe lokale, ASH konkurron me kandidat për kryetar në 15 komuna, ndërsa sa i përket votave për këshilltarë, presin të dalin forcë e parë tek shqiptarët. “Kemi hapur pothuajse në çdo degë dhe nëndegë shtab të Aleancës për Shqiptarët. Po funksionojmë jashtëzakonisht mirë. Kemi zgjedhur forma frontale dhe të drejtpërdrejta me qytetarët. Kandidatët tonë po priten shumë mirë nga qytetarët e rëndomtë, nga zanatçinjtë, ndërmarrësit, afaristët lokal, shoqatat e ndryshme, shoqëritë civile…. I jemi përgjigjur pozitivisht të gjitha debateve publike, të gjitha këto elemente si dhe veprimi ynë politik, përkrahja e madhe në terren – janë tregues se dukshëm e kemi rritur numrin e anëtarësisë dhe mbështetësve tanë. Jemi të bindur se rezultati do të jetë shumë më i mirë dhe do ta dyfishojmë numrin e votuesve në total. Jemi të bindur se do të fitojmë në qytetet kryesore shqiptare si dhe shumë komuna rurale, si dhe do të dalim forcë e parë në vota edhe në numrin e këshilltarëve në nivel republikanë”, thonë nga Shtabi qendror i ASH-së. Nga PDSH kanë pretendime reale të çojnë numrin e votave në mbi 50 mijë me çka pritën të rikonfirmohen si forcë e dytë politike në Maqedoni. PDSH konkurron në këto zgjedhje në 16 komuna me kandidatë për kryetarë, ndërsa në 34 komuna me lista për këshilltarë. Në këto zgjedhje, siç thonë nga Shtabi zgjedhor qendror – PDSH do të fitojë Tetovën, Bogovinën dhe Studeniçanin. “Partitë e reja janë sezonale dhe inicidentalisht si rezultat i pakënaqësisë së madhe ndaj qeverisjes së BDI-së për gjatë 15 viteve të kaluara, dhe morën ato që morën në parlamentare. Baza po kthehet tek ne, dhe populli po e kupton se pse PDSH duhet të fitojë në zgjedhjet lokale dhe pse PDSH duhet të jetë në pushtet kur shohim se kush me kë po vëllazërohet në këtë kohë”, thonë nga Shtabi qendror i PDSH-së.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara