Bruksel, 19 tetor – Evropa, duke u përballur me valën e dytë të koronavirusit, e ka tejkaluar pragun e 250.000 vdekjeve. Më shumë se 8.000 vdekje janë raportuar për një javë, që është bilanci më i keq javor nga mesi i majit.
Shumë vende evropiane po përpiqen të mbrojnë veten duke vendosur masa më të rrepta.
Një numër rekord i rasteve të Kovid-19 është raportuar në Francë gjatë fundjavës dhe për shkak të numrit në rritje të të infektuarve, të shtunën është vendosur shtetrrethim nga ora 21:00 deri në orën 6 të mëngjesit, që do të zgjat të paktën një muaj, transmeton BBC dhe shton se kushdo që e shkel atë duhet të ketë arsye të vlefshme për këtë ose të paguajë gjobë prej 135 eurosh.
Që nga sot, të gjithë baret dhe restorantet në Belgjikë janë të mbyllura për katër javë, ndërsa ora policore është në fuqi nga mesnata deri në pesë të mëngjesit.
Gjithashtu është vendosur ndalesë për shitje të alkoolit pas orës 20:00.
Zvicra ka vendosur mbajtje të detyrueshme të maskave në të gjitha vendet e mbyllura, si dhe ndalesë të tubimit të më shumë se 15 personave në një vend.
Republika Çeke ende nuk ka vendosur nëse është e nevojshme karantina, ndërsa vendi aktualisht është i pari për nga numri i të infektuarve në Evropë.
Në Irlandë sot do të prezantohen masa të reja dhe supozohet se dyqanet dhe ndërmarrjet jo thelbësore do të mbyllen.
Në Gjermani, kancelarja Angela Merkel, për shkak të numrit në rritje të të infektuarve, u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet nëse është e mundur.
Gjithashtu në Itali, që nga sot, puna e bareve dhe restoranteve, si dhe e ngjarjeve lokale është e kufizuar.