Gjithmonë politika e ka shfrytëzuar religjionin për qëllime të saj, por kjo është një dëm i madh. Feja duhet të jetë e pavarur dhe jo të jetë e manipuluar nga shteti ose politika, vlerësojnë “mantelet” e fesë dhe analistët, duke komentuar mbi keqpërdorimin e fesë për propagandë politike
Destan JONUZI
Shkup, 7 nëntor – Nga pavarësimi i Maqedonisë e deri më sot – në të gjitha Qeveritë, por edhe në të gjitha ciklet zgjedhore, nuk ka qenë përjashtues elementi i keqpërdorimit të fesë për propagandë zgjedhore. Ky fenomen në qeverisje më i theksuar ka qenë gjatë pushteti 15-vjeçar të Nikolla Gruevskit. Nga ana tjetër, partitë politike shqiptare dhe ato maqedonase, me mjeshtëri kanë keqpërdorur fenë për propaganda dhe qëllime politike sidomos gjatë fushatave për zgjedhje lokale dhe parlamentare. Nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) thonë se hoxhallarët në asnjë mënyrë në ligjëratat e tyre nuk propagandojnë asgjë politike. Ndërkohë për thirrjet e politikanëve në emër të fesë, thonë se është çështje e tyre.
“Hoxhallarët në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk kanë propaganduar politikë. Roli i tyre është që t’ua transmetojnë fjalët e Kuranit besimtarëve. Ndërsa për përdorimin e elementit fetar në retorikën dhe vokabularin e politikanëve, ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi e as ta ndalim” , thonë nga BFI. Ndërkohë, në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare, nga BFI i ftojnë të gjitha subjektet politike që të mos e keqpërdorin fenë për propagandë apo marketing politik. Nga Kisha Ortodokse e Maqedonisë theksojnë se ka element të keqpërdorimit të fesë për propagandë politike, por se kjo nuk bëhet me dëshirën e tyre.
“Ka elemente të keqpërdorimit të fesë për propagandë politike, por kjo nuk bëhet me dëshirën e Kishës. Andaj, këtë me mjeshtëri e bënë politika, por klerikët fetare nuk u mundësojnë liderëve një gjë të tillë”, thonë nga Kisha Ortodokse.
Antus Cirimotis nga Kisha Katolike e Maqedonisë thekson se religjioni është një, ndërsa shteti është tjetër. Pasi, siç shprehet ai, edhe njëra edhe tjetra palë kujdeset për njerëz të njëjtë dhe atëherë, patjetër të ketë një bashkëpunim mes tyre. “Nuk mund që njëra palë të tërheq në njërën anë e tjetra në tjetrën anë, atëherë kjo është e dëmshme për ato njerëz. Detyrimisht duhet të ekzistojë bashkëpunim për të mirën e përgjithshme të njerëzve. Gjithherë politika e ka shfrytëzuar religjionin për qëllime të saj, por kjo është një dëm i madh. Feja duhet të jetë e pavarur dhe jo të jetë e manipuluar nga shteti ose politika”, shprehet Cirimotis.
Nga ana tjetër, analisti Selim Ibrahimi vlerëson se politika në Maqedoni tenton dhe ka bërë përpjekje që të përdorë institucionet fetare për të ndikuar proceset politike. “Ende Maqedonia vazhdon të ngecë në të drejtat dhe liritë fetare. Qeveria në disa raste ka bërë intervenime mbi individ dhe anëtarë të bashkësive fetare duke shkaktuar incidente të brendshme ndërfetare. Për më shumë, nuk ka procese elektorale ku partitë politike nuk e përdorin fenë për përfitime politike dhe individuale”, nënvizon Ibrahimi. Ndryshe, Maqedonia ndodhet në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat sipas datës së përcaktuar nga liderët politikë duhen të mbahen me 12 prill të vitit 2020, ndërsa parlamenti duhet të shpërbëhet deri më 11 shkurt të vitit të ardhshëm. (koha.mk)