Tre persona prej të cilëve një vajzë pesëvjeçare janë lënduar në dy aksidente trafiku që gjatë ditës së djeshme kanë ndodhur në Tetovë, informoi zëdhënësi i SPB Tetovë Marjan Josifovski. Sipas të dhënave të tij, vajza me prejardhje nga fshati Llace i tetovës është lënduar derisa ka ecur në këmbë me ç’rast është goditur nga automjeti i udhëtarëve “Opel astra” me targa tetovare i drejtuar nga 31-vjeçari P.V. nga Falishti. Aksidenti ka ndodhur rreth mesditës në rrugën “Todor Cipovski-Merxhan” në Tetovë. “Vajza e lënduar me automjet tjetër është dërguar në spitalin e Tetovës dhe pas dhënies së ndihmës mjekësore është lëshuar në shtëpi. Është kryer ekspertizë, ndërsa arsye për aksidentin fillimisht është shpejtësia e papërshtatur gjegjësisht vozitje shumë e shpejtë” tha Josifovski.
Aksidenti i dytë ka ndodhur dje mbrëma rreth orës 20 në rrugën “146” në Tetovë. Në të kanë marrë pjesë një automjet i udhëtarëve “Suzuki svift” me targa tetovare, që e ka drejtuar tetovari F.XH. (29) dhe skuter “Jijing” me targa shkupjane i drejtuar nga tetovari B.I. (44) ndërsa në të cilin ndodhej edhe bashkëudhëtari E.I. (24) gjithashtu nga Tetova.
“Në aksidentin shoferi i skuterit dhe bashkëudhëtari i tij kanë marrë lëndime të rënda trupore. I pari të thyera në shpatullën e majtë dhe në këmbën e majtë, ndërsa i dyti lëndime trupore. Të dytë me një automjet tjetër janë dërguar në Spitalin klinik të Tetovës, u është dhënë ndihmë dhe janë lëshuar në mjekim shtëpiak”, tha Josifovski. Është kryer ekspertizë e kompletuar dhe po konfirmohet arsyeja dhe gjithçka tjetër e lidhur me aksidentin. Fillimisht arsye është mosmbajtja e largesës që është e caktuar me ligj.