Në Durrës zbulohet sistemi mijëra vjeçar i furnizimit me ujë

Nëntoka e lagjes 11 në qendër të Durrësit i ka befasuar përsëri arkeologët me një zbulim të ri, ndërsa bashkëjetesa e ndërtimeve të fundit në qytet me të kaluarën e tij mijëvjeçare sa vjen dhe vështirësohet.

Që prej 30 vitesh në qytetin antik nuk është ruajtur asnjë monument madhor i zbuluar, si amfiteatri apo mozaiku “Bukuroshja e Durrësit”.

Prof. Brikena Shkodra që nga viti 2015 ka kryer disa sondazhe në oborret e banesave të lagjes 11, por zbulimin e muajit të kaluar ajo e dallon nga të tjerët.

“Bëhet fjalë për lidhjen ende të pavërtetuar të një kompleksi të rëndësishëm termal me tubacionin – kanal mbitokësor që e furnizon me ujë atë,” tregon arkeologia Shkodra, për objektet e antikitetit të vonë që u gjetën në të dy anët e rrugës “Mustafa Varoshi”.

Sipas saj, zbulimet e fundit fillojnë të hedhin dritë mbi një periudhë pak të njohur të qytetit, në shekullin e 4-rt të erës sonë, kur Durrësi u caktua si kryeqendër e Epirit të Ri.

Njëlloj si më parë, Durrësi vijon ta marrë ujin e pijshëm me tubacione të instaluara mbi ura nga lumi Erzen, pranë fshatit Rromanat, por sistemi i shpërndarjes brenda qytetit nuk shfrytëzon më tubacionet nëntokësore prej plumbi të vulosura që i përkasin periudhës romake, pra shekujve të parë të erës sonë.

Zbulimi i fundit i Shkodrës ka vërtetuar se pas reformave të perandorëve Dioklecian dhe Kostantin, qyteti e ka ndryshuar standartin urbanistik të furnizimit me ujë nëpër lagjet e tij.

Strukturat prej murature me gjysmëharqet prej tulle dhe llaç hidroizolues që u zbuluan në oborrin e familjes Mima, vetëm 200 metra prapa teatrit “Aleksandër Moisiu”, mbanin mbi vete kanalin e dukshëm të ujit në një formë të re, të paaplikuar më parë.

Gjetjet në oborret e shtëpive dëshmojë se jeta në këtë lagje ka vijuar pa ndalim për shumë shekuj, megjithë vështirësitë që krijonte rrëshqitja e kodrës pranë saj. Prof. Brikena Shkodra thotë se banorët nuk donin ti largoheshin portit, por mbi të gjitha jetesa e tyre bëhej më e lehtë, kur shfrytëzoheshin elementët e mëparshëm të ndërtimit.