Durrës, 22 tetor – Në rrjetat e peshkatarëve shqiptarë nga qyteti port i Durrësit sot është kapur peshkaqeni i llojit “tigër”.
Peshkatarët janë pjesë e ekuipazhit të anijes “Meduza” që lundron në ujërat e Detit Jon, prej ku konfirmojnë se peshkaqeni është kapur në thellësi prej 170 metrave.
“Përbindëshi”, siç e quajnë mediumet, peshon 500 kilogramë, transmeton gazeta KOHA.
Rastet e kapjes së peshkaqenëve në Detin Adriatik dhe Detin Jon, nga ana e peshkatarëve shqiptarë, u shpeshtuan viteve të fundit. Janë kapur rreth njëzet peshkaqenë, të gjithë në largësi prej disa miljeve nga bregdeti. Pesha e peshkaqenëve të kapur më parë ishte prej 100 deri 400 kilogramë.
Mes peshkaqenëve të kapur, pesë-gjashtë prej tyre janë të llojit të rrezikshëm “dem” që konsiderohet si peshkaqeni më vdekjeprurës pas të bardhit. Ata janë kapur në ujërat e Detit Jon, afër Vlorës.
Për herë të parë nga fundi i muajit të kaluar turistët në një plazh në Dhërmi, u befasuan kur peshkaqeni ishte afruar shumë. Ata ishin në det kur ishte afruar peshkaqeni.
Dhërmiu është një nga plazhet më të bukura të bregdetit shqiptar, që ndodhet 42 kilometra në jug të Vlorës. Pasi që ishte dhënë alarmi nga rojet e plazhit, të gjithë kishin dalë nga uji dhe atë moment e kanë xhiruar me celularët e tyre.(koha.mk)