Damask, 27 shkurt – Një dron izraelit sot gjuajti raketë ndaj një automjeti në rajonin që është nën kontroll të drejtpërdrejtë të forcave qeveritare në Sirinë jugore, duke shkaktuar vdekjen e një personi, transmetuan mediumet shtetërore.
Agjencia shtetërore siriane e lajmeve Sana lajmëroi se gjatë sulmit është vrarë një civil “kur një dron armiqësor izraelit gjuajti raketë në fshatin Kineitra, në periferi të qytetit Hadar”.
Qendra siriane për monitorim të të drejtave të njeriut, me seli në Britani të Madhe, kumtoi se sulmi ishte kryer në paralagjet jugore të Hadarit dhe se cak ishte një pjesëtar i grupit “Rezistenca siriane për Golanin e lirë”, për të cilin besohet se përbëhet nga militantë të afërt me qeverinë.
Sipas DPA, tani për tani nuk ka kurfarë komenti nga ana izraelite për sulmin me fluturaken pa pilot.
Sulmi vjen pas sulmeve ajrore të së hënës, të aeroplanëve izraelitë ndaj pozicioneve të “Xhihadit islamik” afër Damaskut, në të cilat jetën e humbën gjashtë persona.(koha.mk)